Kuvendi i Serbisë miratoi mëngjesin e së enjtes(15 shtator) raportin për dialogun me Kosovën.
“Raporti është i shkruar në 50 faqe dhe liston aktivitetet në kuadër të përgatitjes dhe realizimit të negociatave”, përfshirë: Asociacionin e komunave me shumicë serbe, policinë, gjyqësorin, energjinë, odat ekonomike, transportin e mallrave të rrezikshme, si dhe të zhdukurit, që gjenden në kapitullin e fundit.
Për miratimin e tij votuan 205 deputetë ndërsa kundër ishin 57.
Debati në Kuvendin e Serbisë për këtë raport zgjati dy ditë.
Gjatë prezantimeve të tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.Ai po ashtu shtoi se duhet të gjendet një zgjidhje realiste për Kosovën dhe se politika reale nuk mund të bazohet në mite.
Partia më e madhe opozitare në Serbi, Partia e Lirisë dhe Drejtësisë, nuk votoi për miratimin e raportit.
Zyrtari i lartë i kësaj partie, Borko Stefanoviç, u tha gazetarëve se raporti nuk përmban propozime për zgjidhjen e problemit të Kosovës.
Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, gjatë prezantimit të tij tha se, Kosova është e pavarur nga Serbia.
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e saj nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Kosova thotë se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, por Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




