Gazeta Si – Bajerni ‘kafshon’ edhe kur nuk luan edhe aq mirë. Bavarezët nuk ishin në lartësinë e ndeshjes së parë me Interin, ku dominuan totalisht, por sërish ia kanë dalë të mundin 2-0 Barcelonën dhe të kryesojnë të vetëm. Katalanasit shpërdoruan shumë raste për ta çuar ndeshjen në rrjedhën që do të donin ata.

Pjesa e parë ishte më e mirë për Barcelonën, që iu afrua golit në të paktën tri raste. Nojer bëri shpëtimtarin në një gjuajtje nga afër të Pedrit, si dhe në një gjuajte me kokë të Levandovskit. Polaku humbi edhe një rast të artë në zonë, duke gjuajtur mbi tra, ndërsa Rafinja nuk gjeti kuadratin nga jashtë zonës.
Pak pas fillimit të pjesës së dytë, Bajerni përfitoi nga përgjumja në mbrojtje e spanjollëve dhe realizoi dy herë. Lukas Hernandez çoi topin në rrjetë me kokë, pas krosimit nga goditja e këndit, kurse Sane veproi bukur në zonë dhe mposhti portierin Ter Shtegen.
Katalanasit u goditën rëndë dhe deri në fund nuk arritën të shënonin as golin e nderit. Bajerni kryeson Grupin C me 6 pikë, pastaj vijnë Barcelona dhe Interi me nga 3 pikë.
Me shumë vështirësi ka fituar sot Liverpuli, që mundi 2-1 Ajaksin. Ndeshja ishte në barazim 1-1 deri afër fundit dhe për të hequr presionin nga trajneri Klop mendoi Matip, i cili i dha Liverpulit 3 pikët e para në grup.
Rezultatet surprizë ishin humbja e thellë e Portos, 0-4 ndaj Bryzhit, si dhe ajo e Olimpikut të Marsejës, 0-1 ndaj Eintraht Frankfurt.
Champions, faza në grupe
Rezultatet e ndeshjeve të sotme
Plzen-Inter 0-2
Sporting L.-Totenhem 2-0
B.Leverkusen-Atletiko Madrid 2-0
Bajern Mynih-Barcelona 2-0
Porto-Bryzh 0-4
Liverpul-Ajaks 2-1
O.Marsejë-Eintraht Frankfurt 0-1
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




