Drejtësia

Shembja e Teatrit Kombëtar, SPAK merr në pyetje Hervin Çulin

Nga Gazeta Si – SPAK vijon hetimet për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Hervin Çuli, drejtor në kohën kur u shemb Teatri është marrë në pyetje ditën e sotme nga SPAK, si pjesë e hetimit për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Çuli ka qëndruar për rreth 3 orë në SPAK ku ka dhënë deklarime.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është duke kryer hetime për shpërdorim detyre gjatë procesit të miratimit të vendimit dhe ekzekutimit të tij duke e finalizuar me prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar mëngjesin e 17 majit 2020.

Hetimi nisi pas kallëzimit të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit të bërë më 31 dhjetor 2019 dhe 23 janar 2020.

Kallëzimi i bërë nga Partia Demokratike në lidhje me këtë çështje i është bashkuar këtij procedimi penal.

Pavarësisht kundërshtimit dhe rezistencës së artistëve dhe shoqërisë civile për gati dy vite, godina e Teatrit Kombëtar u kthye në një grumbull rrënojash mëngjesin e 17 majit 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë