Në Kuvendin e Serbisë, presidenti Aleksandar Vuçiç u tha deputetëve se Serbia nuk do ta njohë Kosovën, por politika reale nuk mund të mbështetet në mite.
“Serbia as në mënyrë indirekte dhe as drejtpërdrejt nuk do ta njohë pavarësinë e shpallur të njëanshme të Kosovës, as nuk do të heqë dorë nga lufta legjitime për interesat shtetërore dhe kombëtare dhe nga lufta për respektimin e e drejta ndërkombëtare”, tha Vuçiç.
Ai vlerësoi se shkaku thelbësor i krizës së dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës buron nga fakti se bota perëndimore nuk dëshiron të respektojë Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 në rastin e Serbisë dhe as nuk janë të interesuar të respektojnë marrëveshjet e arritura në dialog.
“Bisedimet po zhvillohen nën patronazhin e Bashkimit Evropian dhe ne jemi në rrugën evropiane. Megjithatë, duhet të keni parasysh se shtetet më të fuqishme të BE-së e kanë njohur Kosovën, ashtu si edhe Amerika. Ata e pranojnë shtetësinë e Kosovës dhe ata gjithmonë do të qëndrojnë prapa shqiptarëve, nuk dua që ju të keni iluzione për këtë, nuk ka asnjë politikë që mund ta ndryshojë këtë”, tha Vuçiçi në Kuvendin e Serbisë.
Ai ka thënë se “popullit serb i kanë ndodhur gjërat më të vështira që nga ardhja në pushtet e Albin Kurtit”, por ka vlerësuar se “ruajtja e unitetit të popullit serb në mesin e serbëve në jug dhe në veri të Ibrit është një sukses i madh”.
“Ju siguroj se rreziku në Kosovë dhe Metohi është i afërt, objektiv dhe serioz”, tha Vuçiçi dhe theksoi se Serbia “në asnjë mënyrë nuk ka marrë pjesë në gjenerimin e krizës”.
Duke paraqitur një raport për negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ai vuri në dukje praninë në rritje të forcave speciale të policisë së Kosovës në veri, armatimit dhe mjeteve të blinduara të tyre.
Sipas tij, nuk ka krijim artificial të krizës nga pala serbe, “siç thonë disa politikanë të papërgjegjshëm, media, si këtu ashtu edhe në Kosovë”.
Pavarësisht gjithçkaje, ai përsëriti se Serbia është e përkushtuar vazhdimisht për dialog, e vetëdijshme se zgjidhja paqësore e problemit është e vetmja rrugë e arsyeshme.
“Gjithçka tjetër çon në përshkallëzim dhe konflikt të mundshëm, i cili do të ishte një fatkeqësi për të gjithë vendin”, paralajmëroi Vuçiçi, por ai gjithashtu theksoi se Serbia nuk është aq e dobët sa ishte në 1998, 1999, 2004 dhe 2008.
“Ne jemi më të fortë dhe më të mëdhenj në aspektin ushtarak dhe policor, por është më e rëndësishme që të kemi më shumë inteligjencë dhe mençuri dhe të dimë se ku janë kufijtë e seriozitetit dhe përgjegjësisë, që të bëjmë gjithçka për të ruajtur paqen dhe sigurinë”, tha Vuçiçi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




