Gazeta Si – Graham Poter është zyrtarisht trajneri i ri i Çelsit. Njoftimin e ka bërë klubi londinez, që disa orë më parë kishte shkarkuar Tomas Tuhel. Vendimtare, në vizionin e pronarit të ri, amerikanit Boehli, humbja 1-0 ndaj Dinamos së Zagbrebit në Champions.
Poter ka firmosur një kontratë 5-vjeçare me Çelsin. Në arkën e Brajtonit, ekipit që trajneri drejtonte deri tani, Çelsi do të derdhë 25 milionë euro si kompensim për prishjen e kontratës.
Trajneri i ri ka zbarkuar në ‘Stamford Bridge’ me entuziazëm. Në vitin e 4-t si trajner në Angli, ai ka udhëhequr Brajtonin drejt pozicionit më të mirë në historinë e tij, vendi i 9-të sezonin e shkuar.
Chelsea Football Club is delighted to welcome Graham Potter as our new Head Coach! 🤝
— Chelsea FC (@ChelseaFC) September 8, 2022
Forma e mirë e këtij ekipi është konfirmuar edhe këtë sezon, me një nisje shumë të mirë. Poter e lë Brajtonin në vend të 4-t, me 3 pikë më shumë se Çelsi. Në Londër ai rigjen Mark Kukurelën, lojtarin që kaloi nga Brajtoni te Çelsi në verë për 65 milionë euro.
“Çelsi është i lumtur të njoftojë se trajneri i ri është Graham Poter. Ai bashkohet me ne me një kontratë 5-vjeçare”, – shkruhet në komunikatën zyrtare të klubit londinez.
“Jam krenar dhe entuziast që do të drejtoj Çelsin, një klub fantastik. Jam entuziast për bashkëpunimin me pronarët e rinj të Çelsit dhe mezi pres të takoj lojtarët.
Dua të zhvillojmë një skuadër dhe një kulturë, për të cilën tifozët e saj mund të jenë të lumtur. Falënderoj sinqerisht Brajtonin që më dha një mundësi të mirë”, – u shpreh Poter.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




