Nga Gazeta 'Si'- Situata konfuze e turizmit i vendosi jo pak herë në pikëpyetje shifrat e INSTAT për turistët e huaj që vinin në Shqipëri teksa rrjetet sociale dhe bizneset bregdetare nuk reflektonin të njëjtën gjë.
Megjithatë, turoperatorët i kanë përgjigjiet për këtë.
Besnik Vathi, nga Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve thotë për Gazetasi.al se shifrat janë të vërteta dhe ky vit i kaloi realisht nivelet e vitit 2019, atij që deri tani konsiderohej si viti më i mirë i turizmit.
Një nga faktorët sipas tij që ndikoi në këtë ‘konfuzitet’ duke paraqitur bosh shumë plazhe të Shqipërisë ishte fakti që turistët nuk u përqendruan vetëm në bregdet.
Ndryshoi ‘gjeografia’ e turistëve
“Shumë turistë këtë vit kanë preferuar turizmin malor dhe kanë zgjedhur të pushojnë në zona veriore të Shqipërisë. Thethi, Valbona, qyteti i Korçës dhe zona e Dibrës kanë parë një rritje të numrit të turistëve këtë vit. Shqipëria tjetër, ajo e ‘maleve’, po promovohet gjithnjë e më shumë dhe njerëzit kanë shprehur interes më të lartë për të”, shton ai për Gazetasi.al.
Të njëjtën gjë në fakt e pohon edhe Neritan Ibi, guidë profesionale, i cili thekson se turizmi i aventurës këtë vit ishte në nivelet më të mira të viteve të fudit.
Për Gazetasi.al ai shton se rritja e çmimeve dhe shtrenjtimi i paketave turistike e zhvendosi vëmendjen te turizmi shqiptar i aventurës.
“Të huajt dhe shqiptarët po u kushtojnë më shumë vëmendje bjeshkëve, kanioneve dhe shpellave të Shqipërisë. Pavarësisht që rritja e kostove ka qenë e paevitueshme edhe për këtë lloj turizmi, sërish çmimet ishin më të lira se turizmi sedentar i qëndrimit në shezlong”, shprehet ai për Gazetasi.al.
Tendencë për ta krahasuar me vitin e shkuar
Ndërsa Zak Topuzi, Kreu i Shoqatës së Hotelerisë dhe Turizmit, shprehet për Gazetasi.al se njerëzit patën tendencën ta krahasonin me vitin e shkuar ndaj në pamje të parë dukej se turizmi në bregdet ka qenë më i dobët
“Lëvizjet e turistëve vitin e shkuar ishin të orientuara kryesisht drejt bregdetit pasi ishin të mbyllura të gjithë aktivitetet tjera si konferenca, trajnime, takime biznesi apo projekte të huaja që sillnin ekspertë. Vitin e kaluar sipas Bankës së Shqipërisë dolën për turizëm 800 mln euro më pak pasi një numër më i ulët shqiptarësh dolën me pushime jashtë vendit duke përmirësuar bilancin e të ardhurave në Shqipëri. Duke qenë se zgjodhën të kalojnë pushimet në Shqipëri, bizneset bregdetare patën një numër më të madh turistësh. Këtë vit, ata kishin tendencën për ta bërë krahasimin me vitin e shkuar ndonëse erdhën 10% më shumë turistë se në vitin 2019”, thotë ai për Gazetasi.al.
Zgjerim të strukturave hoteliere
Një tjetër arsye sipas tij është edhe fakti që këtë vit ka patur një zgjerim të strukturave hotelerie dhe njerëzit nuk janë përqendruar të gjithë në të njëjtat struktura që ishin vitin e shkuar.
“Shqipëria në fund të vitit 2017 ka pasur rreth 30.000 shtretër duke u renditur në vendin e fundit në rjaon. Por rritja po ndihet kohët e fundit. Si rezultat i uljes së TVSh në 6% për akomodimin, kemi patur një rritje të ndjeshme të kapaciteteve akomoduese cilësore si hotele, resorte por edhe apartamente të lëshuar me qira. Sot, sipas të dhënave kemi rreth 95.000 shtretër. Dhe turistët këtë vit janë akomoduar në strukturat e reja”, thotë Topuzi.
Akomodim jashtë sistemit të kontrolluar
Akomodimi jashtë sistemit të kontrolluar nga turistët është gjithashtu një faktor që tregonte ‘një tjetër botë'.
Turoperatorët kanë jashtë sistemit të gjithë apartamentet dhe shtëpitë private që mund t’u jepen turistëve nga të zotët e shtëpisë. Turistët janë akomoduar në këto apartamente duke i bërë pronarët e hoteleve dhe resorteve të mëdha të raportojnë për më pak pushues.
Në muajin korrik, në territorin shqiptar sipas INSTAT kanë hyrë mbi 2 milionë vizitorë, shqiptarë dhe të huaj.
Sipas origjinës së të huajve që kanë vizituar Shqipërinë gjatë korrikut, rritjen më të madhe, në raport vjetor, e ka pasur Spanja, me katërfishim të shifrave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.