Drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç ka vlerësuar sot (7 shtator) se vizita e djeshme e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në veri ka pasur për qëllim “të shkaktojë tensione, provokime dhe destabilitet”.
Petkoviç në këtë reagim ka theksuar se suksesin e vizitës së kryeministres serbe Ana Bërnabiç në pjesën veriore të Kosovës e dëshmon më së miri fakti se “të nesërmen Albin Kurti ‘vrapoi’ për të bërë fotografi” po në veriun e Kosovës.
“Vetëm se, Ana Bërnabiç u prit me entuziazëm nga disa mijëra serbë, ndërsa Kurti u desh të qarkullonte fshehurazi në veriun e krahinës sonë, që të mos e takonte rastësisht ndonjë serb dhe të vetmit që e pritën atë ishin anëtarët e ROSU-s”, tha Petkoviç.
Ai tha se kjo më së miri tregon që “Kurti nuk ka çfarë të kërkojë në veri të Kosovës”.
“Dhe kjo tregon më së miri se Kurti nuk ka çfarë të kërkojë në veri të krahinës dhe se qëllimi i tij i vetëm është të shkaktojë tensione, provokime dhe destabilitet, së bashku me një dëshirë obsesive për t’u filmuar për mediat sociale”, theksoi Petkoviçi.
Zyrtari serb tha më tej se “nuk ka se si Kurti të mos e mbante mend mirë se si populli serb i tregoi pa mëdyshje se nuk kishte çfarë të kërkonte në veri të Kosovës dhe Metohisë kur për herë të fundit u përpoq publikisht të futej në një mjedis serb”.
“Prandaj tani duhet të dalë vjedhurazi dhe të filmojë ‘me guxim’, për të bindur veten se ishte vërtet në veri”, tha ai.
Petkoviç vlerësoi se “është mirë që Kurti e ka parë në detaje vizitën e kryeministres së Serbisë në Mitrovicën e Kosovës, në Zveçan dhe Leposaviç, sepse ka mundur të mësojë se si të dërgojë mesazhe paqeje, demokracie dhe stabiliteti dhe të cilën serbët e pranojnë si të vetmen kryeministre të tyre”. Kujtojmë se dje gjatë orëve të pasdites, kryeministri Albin Kurti, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, vizituan edhe bazën e re të Policisë së Kosovës në Jasenovik në Zubin Potok, si dhe kampin e njësisë speciale Belvedere në Mitrovicë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




