Ekonomi

Besimi në ekonomi bie për të dytin muaj radhazi

Treguesi i besimit në ekonomi ra për të dytin muaj radhazi në gusht, sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë.

Treguesi i Ndjesisë Ekonomike regjistroi rënie me 1.8 pikë në sektorët e industrisë, të shërbimeve dhe të tregtisë. Nga ana tjetër, besimi konsumator dhe besimi në sektorin e ndërtimit u përmirësuan në muajin gusht.

Treguesi i besimit të industrisë ra me 4.1 pikë përqindje në gusht, rënia e dytë mujore radhazi.

Pritjet për çmimet e prodhimit regjistruan rënie të fortë, me -20.4 pikë përqindje në muajin gusht.

Treguesi i besimit në shërbime ra me 5.8 pikë përqindje në muajin gusht, edhe në këtë rast për të dytin muaj radhazi. Kjo u përcaktua nga rënia e të dy komponentëve përbërës, vlerësimet për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre dhe vlerësimet për kërkesën. Pritjet e bizneseve të shërbimeve për çmimet që do të vendosin në të ardhmen janë ulur këtë muaj.

Treguesi i besimit në tregti ra me 4.4 pikë përqindje në muajin gusht, i ndikuar nga vlerësimet më pesimiste për ecurinë aktuale të biznesit të tyre dhe pritjet për punësimin në muajt e ardhshëm. Pritjet e tyre për kërkesën, ecurinë e biznesit dhe çmimet që do të vendosin në të ardhmen janë vlerësuar gjithashtu në rënie.

Treguesi i besimit në ndërtim u rrit me 4.4 pikë përqindje në muajin gusht. Përmirësimi u shkaktua nga vlerësimet optimiste të bizneseve për aktivitetin e tyre ndërtues. Nga ana tjetër, vlerësimi i tyre për kontratat porositëse ishte në rënie këtë muaj.

Treguesi i besimit konsumator u rrit me 1.8 pikë përqindje në muajin gusht. Kjo rritje reflektoi kryesisht pritjet më optimiste për situatën e tyre financiare dhe për situatën e përgjithshme ekonomike në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë