Futboll

Broja debuton në Champions, Çelsi i tij mundet nga Dinamo Zagreb

Gazeta Si – Gati 40 minuta në fushë. Para se kronometri të shënonte minutën e 60-të, Tuhel hoqi nga fusha Aubamejang dhe aktivizoi sulmuesin e Kombëtares shqiptare. Armando Broja Broja ka bërë debutimin në Champions dhe pavarësisht se Çelsi humbi, data e sotme do të mbahet mend gjatë prej tij.

Broja në fakt nuk mundi të linte asnjë shenjë për aq sa luajti, por nuk është se ishte faji i tij. Çelsi ishte krejtësisht konfuz në fushë, pavarësisht dominimit territorial. Skuadra e Tuhel bëri një lojë me shumë stacione, të lexueshme nga kroatët.

Ndeshjen e vendosi një gol i shënuar pas 13 minutash nga Orshiç. Dinamo Zagreb më pas vetëm u mbrojt dhe një rast goditi shtyllën me Ristovskin. Shtyllën e goditi edhe Çelsi me Xhejms në fundin e ndeshjes.

Broja nuk pati asnjë rast shënimi në zonën e ngjeshur të kundërshtarit. Në fund kanë festuar kroatët që e nisin fazën në grupe me fitore. Për trajnerin Tuhel duket se po komplikohen gjërat gjithmonë e më shumë.

Në fushë ishte edhe një shqiptar tjetër, Arjan Ademi, kapiteni i Dinamos së Zagrebit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë