Gazeta Si – Telenovela e transferimit të mundshëm të Kilian Mbape te Real Madrid zgjati jo pak, por nuk u finalizua me sukses. Të paktën tani për tani, sepse rinovimi i befasishëm me PSG-në nuk jep siguri për të ardhmen.
Në një intervistë për ‘New York Times’, lojtari francez pohon se nuk është e thënë se nuk ka më mundësi që ai të shkojë në ‘Bernabeu’. Për momentin është i PSG-së, sepse ia ka premtuar një personi mjaft të rëndësishëm.

Kujt? Emanuel Makronit, presidentit të Francës, që zbriti në fushë për t’u siguruar edhe ai se Mbape do të qëndronte në Paris. “Nuk e imagjinoja kurrë se do të flisja me presidentin për të ardhmen e karrierës. Është absurde, vërtet absurde.
Më tha ‘Dua që të qëndrosh, nuk dua të largohesh tani. Je shumë i rëndësishëm për vendin’. Dhe kur presidenti të thotë diçka të tillë, eh… ka shumë rëndësi”.
NYT shpjegon se edhe Makron ishte i bindur se Mbape do të shkonte te Real Madrid. Duke menduar se herët a vonë do të ndodhë kështu, ai i kërkoi sulmuesit që ta vononte pak kalimin dhe të qëndronte edhe për pak kohë në Paris. Dhe kështu ndodhi.
E ardhmja gjithsesi mbetet e lidhur me Madridin. Është i ndërgjegjshëm edhe vetë Mbape, i cili nuk bën premtime të tjera për qëndrimin te PSG: “Nuk i duhet asnjëherë se çfarë do të ndodhë. Nuk kam qenë kurrë te Reali, por më duket si shtëpia ime, diçka e ngjashme”.
Mbape nuk e ka fshehur kurrë vullnetin për t’u bërë ylli i ri i futbollit botëror. ‘Topi i Artë’ është objektivi i tij: “Nuk vendos limite. Kjo është një gjeneratë e re, Ronaldo dhe Mesi do të tërhiqen. Do të dalë dikush tjetër.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




