Kosova

Kurti: Prezanton pakon e re ekonomike, synon ta ulë inflacionin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media të shtunën, ka prezantuar pakon e re ekonomike që synon mbështetjen e qytetarëve për t’u përballur me krizën inflacionare në vend.

Pika e parë e pakos, sipas Kurtit do të përqendrohet te të gjithë ata të cilët kursejnë energji elektrike.

“Nisur nga gjendja e rënduar me energji, sot më shumë se kurrë është e domosdoshme të kursejmë, andaj do të subvencionojmë ata që do të kursejnë energjinë elektrike. Për aq sa kursehet në raport me të njëjtin muaj të vitit paraprak ne do të subvencionojmë dy fish faturën”, ka thënë Kurti.

Më tej i pari i ekzekutivit ka bërë të ditur se qeveria do të procedojë Projektligjin për Punë publike, e cila parasheh kompensimin për inflacion për materialet ndërtimore dhe punët përcjellëse për kontratat ekzistuese të punës.

“Kjo me qëllim të përshpejtimit të dinamikës së implementimit të projekteve kapitale”.

Pakoja e re, sipas Kurtit parasheh që ndarjen e një shume prej 100 eurosh për pensionistët, kurse familjeve me asistencë sociale mbështetje duke dyfishuar shumën e asistencës për një muaj.

Kurti më tej ka bërë të ditur se për zyrtarët publik do të ndajnë shtesën prej 50 eurove, duke filluar nga muaji shtator, kurse për punëtorët në ndërmarrjet publike do të ndajnë shumën e njëhershme prej 100 eurosh.

“Jemi të vetëdijshëm që inflacioni ka ndikuar që jetët të vështirësohen për gjithë pa dallim, mirëpo kjo gjendje është edhe më e rënduar në sektorin privat”, ka shtuar ai.

I pari i Qeverisë, ka bërë të ditur se me pakon e re do të mbështetet secili biznes që i rritë pagat e punëtorëve, duke subvencionuar 50 për qind të rritjes së pagës për punëtorët maksimumi 100 euro për tre muajt e parë.

Nga pakoja, sipas Kurtit do të përfitojnë edhe studentët.

“E përkrahjen tonë do ta zgjerojmë edhe për studentët e republikës, për të cilët do të ndajmë shumën e njëhershme prej 100 euro në muajin nëntor”.

Pakoja, sipas Kurtit i cili quhet “Pakoja për përballje me inflacionin” do të kushtojë buxhetit të shtetit 150 milionë euro.

“Nga subvencionimi për familjet që do të kursejnë energji elektrike do të përfitojnë 300 mijë familje. Kurse nga pagesat direkte do të përfitojnë rreth 600 mijë qytetarë”, ka shtuar Kurti


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë