Gazeta Si – Vllaznia i bën presion Partizanit në kreun e renditjes. Shkodranët kanë fituar 1-2 në ‘Selman Stërmasi’ ndaj Tiranës vendëse, duke u dhënë një shuplakë të fortë kampionëve në fuqi.
Pati edhe fatin me vete skuadra e Mirel Josës, pasi në kohën e shtesë e shpëtoi shtylla, ndërsa në pjesën e dytë ishte Tirana që e dominoi lojën. Përveç tre golave, ndeshja pati edhe dy kartonë të kuq, nga një për çdo skuadër.

Dhe ishte pikërisht i kuqi i parë që i dha kthesën e parë ndeshjes. Zhivanaj pengoi me duar sulmuesin Kaina në zonë dhe arbitri Jorgji e ndëshkoi me karton të kuq si lojtari i fundit. Njëkohësisht penalli për Vllazninë, që Herald Marku e ktheu në gol dhe 0-1.
Më pas braziliani realizoi me kokë golin e dytë për miqtë, duke gjuajtur saktë me kokë pas krosit nga këndi. Shkodranët shkuan në dhomat e zhveshjes për pushimin në avantazh të dyfishtë.
Sapo nisi pjesa e dytë, Xhixha shkurtoi diferencën në 1-2. Forcat në fushë u barazuan, pasi Herald Marku mori kartonin e dytë të verdhë, kështu që edhe Vllaznia mbeti me 10 vetë.
Por Tirana, pavarësisht se krijoi shumën raste për 40 minutat e mbetura, nuk ia doli të barazonte. Kampionët duket se kanë humbur diçka nga forca e sezonit të kaluar, kurse Vllaznia, me këtë fitore me peshë, konfirmon se pretendimet e saj për titull nuk janë vetëm në letër.
Shkodranët kanë barazuar Partizanin në kuotën e 6 pikëve, por të kuqtë kanë nuk e kanë luajtur ndeshjen e radhës me Bylisin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




