Kosova

ZRRE: Nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë në Kosovë

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) bëri të ditur se nuk ka rritje të çmimit të energjisë në Kosovë. Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) kishte kërkuar shtrenjtimin e tarifave të energjisë deri në 88 për qind për amvisëritë dhe deri në 70 për qind për bizneset.

Sipas kësaj kërkese tarifa e ulët për ata që shpenzojnë nën 800 kilovat në orë, nga 2.89 centë u propozua të bëhet 5.43, ndërsa e larta për këta konsumatorë nga 6.75 në 12.86.

Ndërsa, për ata që shpenzojnë mbi 800 kilovat, u propozua që tarifa e ulët të bëhet nga 5.90 në 11.09, e larta nga 12.52 në 23.53.

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) i ka kthyer përgjigje negative kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) pas kërkesës për shtrenjtim të energjisë elektrike.

Qeveria e Kosovës më 24 gusht ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Ekonomisë për ndarje buxhetore në shumë prej 41 milion euro lidhur me Pakon e Ringjalljes Ekonomike për zbatimin e Masës 3.7 – Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike.

ZRRE thotë se gjatë muajve në vazhdim, do të monitorojë nga afër gjendjen e kostove të sektorit të rregulluar të energjisë elektrike dhe do të ndërmarrë hapat e nevojshëm në përputhje me mandatin mandatit e saj ligjor.

Në fillim të këtij muaji, deputetët e Kuvendit të Kosovës me 68 vota për, asnjë kundër e abstenim kanë votuar vendimin e Qeverisë për vendosjen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike.

Këto masa do të mbesin aktive për 60 ditë.

“Masat e marra do të mbesin në fuqi për 60 (gjashtëdhjetë) ditë pas aprovimit nga Kuvendi i Kosovës. Kuvendi mund të vazhdojë këtë afat për periudha të njëpasnjëshme prej 30 (tridhjetë) ditësh me shumicë të votave të deputetëve të Kuvendit të pranishëm në seancë, deri në 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë