Gazeta Si – Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, tashmë lojtar i Majorkës, tregon pse dështoi transferimi te Bryzhi. Ai falënderon veçanërisht Igli Taren për ndihmën që i ka dhënë.
Në një intervistë të gjatë për ‘Extra Time’ në ‘SuperSport’, Muriqi së pari ka folur për momentin e mirë që po kalon në Spanjë: “Kur e bën mirë punën tënde, nuk ka si të mos ndihesh i lumtur. Nuk jam për qejf në Majorka, por për profesionin tim. Shpresoj të vazhdoj kështu.

Kam besim në vetvete, kam besimin e shokëve të skuadrës, të qytetit. Po argëtohem shumë me fansat dhe miqtë. Në qytet më presin shumë mirë”.
Pastaj e vërteta për Bryzhin: “E vërteta është se pati një lëvizje nga klubi belg për të ulur çmimin. Nuk është aspak profesionale. Kam bërë trasferime që kanë kërkuar kohë, kurse me Bryzhin u bë gjithçka në 3-4 ditë dhe u surprizova.
Ishte një ndjenjë e keqe, sepse kur shkova në aeroport nuk kishte pjesëtarë të klubit. Më çuan në një vilë, jo në hotel, por pranova. Nuk më uroi askush mirëseardhjen ditën e vizitave, ishte vetëm mjeku i klubit për të bërë analizat.
Folën për një test me maskë, që kur nuk je stërvitur, vështirë ta kalosh. U thashë se isha pa stërvitje dhe se nuk doja të kisha probleme si ato me Lacion në fillim. Pastaj më thanë se nuk kisha kaluar testet mjekësore. Mendova se kisha probleme kardiake, por testet fizike nuk treguan diçka të tillë.
Pastaj më kërkuan në huazim, sepse kështu do të ulej çmimi i kartonit. U ndjeva keq dhe fola me drejtuesit e Lacios. I jam mirënjohës Igli Tares, sepse më ka mbështetur që ditën e parë. I tregova çfarë ndoidhi dhe ai më tha se drejtuesit e klubit do të flisnin me ata të Bryzhit. Më pas u ktheva në stërvitje dhe ja ku jam sot”.
Kosovari pastaj u kaloi te Majorka: “Kisha oferta nga Seria A, por Majorka kishte një opsion për të më blerë. Është krenari të jem blerja më e shtrenjtë e saj, kam kaluar edhe Samuel Eto’o, që të gjithë e dinë kush është”.

Për nofkën ‘Pirati i Mesdheut’, Muriqi u shpreh: “Po, më pëlqen. Te Fenerbahçe më thërrisnin kanibal, kurse te Lacio Igli Tare më thërriste Pirat. Më pëlqen”.
Dhe në fund një mendim për suksesin e Ballkanit, ekipit të parë kosovar që do të luajë në grupet e Ligës së Konferencës: “Ballkani ka bërë diçka fenomenale, ka hapur një derë dhe mund të ketë të tjera skuadra kosovare që mund ta bëjnë.
Njerëzit ishin krenarë vetëm për kombëtaren, tani është arritur diçka e madhe, falë drejtuesve dhe futbollistëve. Ballkani po punon prej 4-5 vitesh dhe e meritonte”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




