Kosova

Përkeqësohet situata energjitike në Kosovë, prodhohet energji veç për Prishtinën

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), aktualisht është duke operuar me vetëm një njësi të Termocentralit ku po prodhohen 120 MWh, sasi e pamjaftueshme për të furnizuar Prishtinën.

Kosova po përjeton një krizë të thellë energjitike dhe situata pritet të përkeqësohet.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se edhe pse kanë ndarë 100 milionë euro për të ulur koston e energjisë, çmimi vazhdon të ketë rritje.

“Na duhet një debat i hapur dhe i sinqertë mes nesh mbi gjendjen që jemi dhe sfidën që kemi përpara në mënyrë që gjatë dimrit të fokusohemi në atë që është e mundur e mbi të gjitha është kursimi i energjisë. Ne tashmë kemi ndarë 100 milionë euro për të zbutur ndikimin e rritjes së faturave të energjisë për qytetarët, por çmimi i energjisë është vazhdimisht në rritje”, ka shtuar ai.

Menjëherë pas kësaj thirrje, KEDS ka dal me njoftimin se do të ketë përkeqësim të situatës energjike në vend.

“Aktualisht kufizimet janë dy orëshe, por që të mos përkeqësohet tutje situata, kërkojmë nga të gjithë konsumatorët kursim maksimal të energjisë elektrike. Përdorimi i saj në mënyrë eficiente bën që të gjithë të kemi energji elektrike më tepër. Në këto rrethana të vështira, duhet të veprojmë të bashkuar në mënyrë që t’i kapërcejmë ato. Së bashku mund t’i dalim”.

Lidhur me këtë krizë energjetike, ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e cila propozoi 10 pika për të përballuar krizën.

Ndër pikat e renditura, LDK-ja ka bërë apel që të ndahet subvencioni prej 90 milionë euro për energjinë, të riparohet Blloku A5 i Termocentralit Kosova A, të zbritet TVSH-ja nga 8% në 0% për faturat e energjisë e të krijohen subvencione të reja për qytetarët dhe bizneset.

Kujtojmë se në fund të vitit të kaluar, qeveria kishte marr vendim për shpalljen e gjendjes emergjente me energji elektrike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë