Nga Gazeta Si – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë një intervistë të shkurtër për “BBC World Service” pas arritjes së marrëveshjes me Serbinë mbi lëvizjen e qytetarëve të të dyja vendeve.
I pyetur se a është i lumtur për këtë marrëveshje, Kurti tha se edhe pse bisedimet në Bruksel nuk ishin të lehta, rezultatet janë të kënaqshme.
“Po, ne kemi pasur bisedime në Bruksel që nuk kanë qenë të lehta, por rezultatet janë të kënaqshme sepse tani kemi reciprocitet mes Kosovës dhe Serbisë, në kuptimin e lëvizjes së lirë, për qytetarët e të dyja vendeve”, tha Kurti.
Ai falënderoi për punën e zellshme Shefin e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, ndërmjetësuesin e dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“E falënderoj Borrellin, Lajçak dhe Escobar për punën e zellshme në Prishtinë dhe Beograd, në të njëjtën kohë i falënderoj qytetarët e Kosovës për mbështetjen”, tha kryeministri i Kosovës.
Ndër të tjera, Kurti ka folur edhe për afatin që iu është dhënë serbëve që të pajisin automjetet e tyre me targa të Kosovës, ku tha se u kanë dhënë 2 muaj kohë.
“Ju kemi dhënë qytetarëve serbë dy muaj kohë për t’u pajisur me targat e Republikës së Kosovës. Shpresoj që deri në tetor s’do të shohim automjete me targa që s’janë valide”, është shprehur Kurti.
Të shtunën më 27 shkurt, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve.
Lajmi është dhënë nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një postim në Twitter. Tashmë qytetarët e dy vendeve mund të udhëtojnë lirshëm duke përdorur dokumentet e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




