Trashëgimi

Zbulohet një vendbanim 7500-vjeçar në Lin të Pogradecit

Nga Gazeta Si - Një vendbanim 7500-vjeçar është zbuluar nga gërmimet arkeologjike në Lin të Pogradecit.

Kryeministri Edi Rama, në një postim në Facebook ka ndarë disa foto, ndërsa shkruan se sipërfaqja e vendbanimit prehistorik, mendohet të jetë rreth 35.000 m2.

“Zbulohet një vendbanim 7500-vjeçar në Lin. Të tjera zbulime arkeologjike mbresëlënëse hedhin dritë mbi vendbanimet e hershme në territoret shqiptare, pranë fshatit Buqezë në Lin, ku po kryhen gërmime arkeologjike për zbulimin e vendbanimit ‘palafit’, sipërfaqja e vendbanimit prehistorik, mendohet të jetë rreth 35.000 m2”, shkruan Rama.

Edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të ditur se pranë fshatit Buqezë në Lin, po kryhen gërmime arkeologjike për zbulimin e vendbanimit “palafit”, që sipas arkeologëve daton 7500 vjet më parë.

Sipërfaqja e vendbanimit prehistorik, mendohet të jetë rreth 35.000 m2.

Projekti shqiptaro-zviceran “LIN 3”, është një bashkëpunim i Institutit të Arkeologjisë-ASA-Akademia e Studimeve Albanologjike me Universitetin e Bernës, Zvicër dhe me mbështetjen e laboratorëve të Universitetit të Oxford-it, Angli, si dhe Ministrisë së Kulturës dhe Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Korçë.

Sipas drejtuesit shkencor të projektit, Adrian Anastasi, janë zbuluar elemente drusore, që dëshmojnë për mënyrën e ndërtimit dhe arkitekturës.

“Gjatë gërmimeve, po dalin në dritë vegla pune prej stralli, enë të ndryshme qeramike, fragmente kocke kafshësh dhe janë marrë kampione sedimentologjike për analiza në laboratorë. Gërmimet dhe studimet e mëtejshme pritet të nxjerrin rezultate të rëndësishme për arkeologjinë dhe historinë tonë”, shprehet Margariti në rrjetet sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë