Rend dhe Ligj

Zbardhet atentati në Shkodër, autorët qëlluan për një konflikt të dy viteve më parë

Gazeta Si – Policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim dy persona për atentatin ndaj Alban Bruçit tri ditë më parë.

Ata janë: Tornato Fusha, 20 vjeç dhe Bajram Cerkoja, 24 vjeç, të cilët kanë dashur të hakmerren ndaj 25-vjeçarit për një konfikt të dy viteve më parë.

Në një njoftim për mediat, policia thotë se ka mundur të zbardhë dhe dokumentojë me prova ligjore këtë ngjarje, e cila ndodhi në lagjen Rus të qytetit të Shkodrës.

Kështu, policia thotë se ka rezultuar që para 2 vitesh, Bruçaj është konfliktuar për motive të dobëta me një prej autorëve të dyshuar, 20-vjeçarin Fusha.

Ky konflikt dyshohet të jetë dhe motivi pse Tornato Fusha dhe Bajram Cerkoja qëlluan me armë zjarri mbrëmjen 25 Gushtit automjetin që drejtohej nga Alban Bruçi.

Nga ana e policisë vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e dy autorëve të dyshuar, të cilët do të përballen me akuzat  “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”, si dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Ngjarja u regjistrua mbrëmjen  e 25 gushtit në lagjen “Partizani” të Shkodrës, ku të rinjtë kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të makinës së Bruçaj, i cili fatmirësisht shpëtoi pa asnjë lëndim.

Ai ka deklaruar në polici se rreth orës 21:30 po kthehej në shtëpi me makinë, kur dy persona të cilët pretendon se nuk i njohu u afruan me motor dhe e qëlluan me breshëri.

19 plumba mësohet se shkrehën ndaj 25 vjeçarit i cili shpëtoi pa lëndime, pasi siç ka deklaruar vijoi të lëvizë me makinë gjatë kohës që ishte nën sulm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë