Gazeta Si – Shumë shpejt, që në javën e tretë të kampionatit, Interi ka marrë goditjen e parë serioze. Skuadra e Inzagit është mundur 3-1 në ‘Olimpico’ nga Lacio. Një triumf i rëndësishëm për të besuarit e Sarrit, ndërsa Inzagi merr një leksion të mirë.

Felipe Anderson shënoi golin e avantazhit për Lacion në pjesën e parë. Braziliani u shërbye mjaft mirë nga Milinkoviç Saviç dhe u tregua i saktë me kokë në zonë.
Pak minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Lautaro Martinez ktheu baraspeshën. Trajneri Sarri bëri disa lëvizje nga stoli dhe ishin pikërisht këto lëvizje që vendosën ndeshjen.
Spanjollët Luis Alberto dhe Pedro shënuan golat e fitores për ekipin vendës. Ai që duhet veçuar është goli i Luis Albertos, me një gjuajtje spektakolare nga jashtë zonës. Lacio merr kështu kryesimin e përkohshëm, me 7 pikë pas 3 ndeshjesh.
Për Lacion ishte gjithashtu edhe një provë e rëndësishme e kaluar me sukses dhe që rrit moralin për vazhdimin e kampionatit.
Elseid Hysaj shijoi pjesën më të bukur të ndeshjes. Ai u fut në fushë në 20 minutat e fundit, kur u shënuan edhe golat e fitores. Kristjan Asllani nuk fatin të zbriste në fushë asnjë minutë në këtë ndeshje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




