Kosova

Vuçiç skeptik se mund të arrihet marrëveshje me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se nuk është optimist për arritjen e marrëveshjes me Kosovën për ri-regjistrimin e targave të veturave.

“Jam skeptik dhe thjesht nuk shoh hapësirë për përparim, por na takon neve të bëjmë më të mirën”, tha Vuçiç më 26 gusht në Oseçinë.

I pyetur nga një gazetar nëse pret tensione më 1 shtator, data për të cilën autoritetet e Kosovës njoftuan për zbatimin e vendimeve për riregjistrimin e automjeteve dhe për dokumentet personale, Vuçiç u përgjigj:

“Nuk mendoj se mund të ndodhë asgjë më 1 shtatori, por kjo është çështje kohe, sepse riregjistrimi që ata synojnë të kryejnë zgjat dy muaj. Ndërkaq, për sa i përket dhënies së dokumenteve, mund të ketë tension edhe më 1 shtator, nëse nuk pranojnë që serbët me dokumente personale serbe mund të shkojnë në shtëpitë e tyre në Kosovë dhe nga atje të hyjnë në Serbinë qendrore”, tha Vuçiç.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se më 1 shtator do të zbatojë vendimin për riregjistrimin e automjeteve me targa të Serbisë në RKS, si dhe vendimin për lëshimin e dokumenteve për hyrje/dalje për shtetasit serbë.

Vuçiç tha se Beogradi zyrtar kërkon që “qytetarët e Serbisë të mund të lëvizin me dokumentet e tyre në veri të Kosovës”.

“Kjo është në harmoni me Marrëveshjen e Brukselit”, tha ai.

Vuçiç gjithashtu tha se “vështirë se do të ketë marrëveshje” për riregjistrimin e targave KM (Mitrovica e Kosovës) pasi “serbët nuk do ta pranojnë”.

Më 25 gusht, Vuçiç u takua në Beograd me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe të dërguarin e Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.(REL)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë