Dosje

Atentati në Shkodër, i riu rrëfen dinamikën e ngjarjes: Më qëlluan dy persona me motor

Gazeta Si – Alban Bruçi i ka shpëtuar për mrekulli një atentati me armë një natë më parë në Shkodër, por gjatë dëshmisë së tij në polici, 25-vjeçari ka pohuar se nuk ka parë asgjë.

I riu, teksa ka shpjeguar dinamikën e ngjarjes, ka deklaruar se nuk ka konflikte me persona të tjerë.

“Nuk e kam idenë se kush mund të jenë autorët e kësaj ngjarje. Kam qenë duke shkuar në shtëpi me makinë kur dy persona me motor u afruan dhe qëlluan ndaj meje”, ka thënë Bruçi.

Ai tregon se pas të shtënave është munduar të shpëtojë dhe ka ecur pak metra me makinë.

“Pasi u larguan, nuk kisha marrë asnjë plumb dhe menjëherë erdha në polici për të treguar ngjarjen. Nuk kam konflikte me persona të tjerë dhe nuk e di se kush mund ta ketë bërë”, është shprehur 25-vjeçari në polici.

I riu po udhëtonte me makinën e tij tip “Audi”, kur ndaj mjetit u qëllua me armë zjarri. Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.

Alban Bruçi nuk është emër i panjohur për autoritetet policore të Shkodrës. Ai rezulton person me precedentë penalë, pasi në prill 2016- tentoi të vriste një person.

Policia e Shkodrës dyshon se 25 vjeçari është qëlluar me armë zjarri pistoletë tip “Scorpions”, e cila ka enë e pajisur me silenciator pasi nuk janë dëgjuar të shtënat në zonën ku ndodhi atentati.

Sipas burimeve paraprake, në vendngjarje janë gjetur rreth 20 gëzhoja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë