Ekskluzive

Zhdukja e Ervis Martinajt, kush përfiton dhe kush po fshihet?! Dosja mund të kalojë në SPAK

Dosja hetimore për zhdukjen e Ervis Martinajt, që sipas denoncimit të familjarëve të tij rezulton i humbur që prej datës 9 gusht mund të kalojë në SPAK dhe nga hetimet paraprake të deritanishme nuk përjashtohet mundësia që 40-vjeçari i shumëkërkuar të jetë vrarë.

Burime ekskluzive të Gazetës Si pranojnë se hetimet për zhdukjen e Martinajt kanë vënë në përgjim të përhershëm telefonik dhjetra persona, mes të cilëve edhe oficerë policie e punonjës të tjerë të Policisë së Shtetit.

Burimet thonë se mes këtyre përgjimeve ka dhjetra raste kur ‘personat subjekt përgjimi, mes të cilëve edhe oficerë policie, shfaqen të shqetësuar’, madje edhe me përshkallëzim veprimesh me shpresën se nuk do të zbulohen ‘që kanë pasur kontakte e dijeni me Ervis Martinajn’.

Mes veprimeve hetimore që po kryhen, është edhe mbikëqyrja e tregut të lojërave të fatit në Tiranë, që policia dyshon se i përkisnin Ervis Martinajt.

“Ne po përgjojmë se çfarë do të ndodhë me lojërat e fatit, kryesisht në Tiranë, që dyshohet se i përkisnin Ervis Martinajt dhe që ruheshin nën bekimin e Policisë së Shtetit. Nëse këto lojëra fati i kalohen dikujt tjetër, siç po interceptohet në biseda, në botën e nëndheshme të krimit kanë ndodhur shumë gjëra, por jo vetëm. Edhe në polici”, mbylli njëri nga anëtarët e grupit të hetimit, sipas të cilit me shumë mundësi dosja do t’i kalojë SPAK.

Ervis Martinaj cilësohet si bosi i lojërave të fatit në kryeqytet. Pikërisht ky treg i ka siguruar atij të ardhurave miliona euroshe në vit dhe bashkë me to edhe përplasje me grupet rivale për kontrollin e këtij tregu.

Një përplasje e tillë, ku Ervis Martinaj është përfolur se ka qenë i përfshirë është ajo e tetorit të 2013-s, kur në Komunën e Parisit mbeti i vrarë Elvis Doçi, gjithashtu biznesmen në tregun e lojërave të fatit. Vrasja e Doçit edhe sot, pas gati 9 vitesh është ende pa autor.

Policia tha se do ta zbardhte shpejt ngjarjen, ndërsa Ervis Martinaj ishte personi kryesor i dyshuar. Grupi hetimor e lidhte emrin e Martinajt me vrasjen e Doçit, në zonën e Komunës së Parisit, për shkak të një afere biznese të shkuar keq ndërmjet tyre.

Sipas të dhënave operative të asaj kohe, rezulton se Elvis Doçi, në shtator të vitit 2013, mendohet se i ka shitur Ervis Martinajt një numër të konsiderueshëm makinetash lojëra fati, të cilat ishin të palicencuara.

Por, vetëm pak javë pasi Martinaj bleu këto makineta nga Doçi, ministri Tahiri deklaroi nisjen e operacionit “Fundi i Marrëzisë”, i cili kishte për qëllim fillestar goditjen e biznesit të paligjshëm të lojërave të fatit. Disa qindra makineta të palicencuara u bllokuan nga Policia, në atë kohë, në Tiranë dhe qytete të tjera. Ndër operacionet e ndërmarra nga Policia ishte edhe bllokimi i rreth 400 makinetave të Ervis Martinajt, të gjendura në një magazinë në pronësi të tij.

Në këtë moment, sipas informacioneve operative të Policisë, ka nisur përplasja ndërmjet Ervis Martinajt dhe Elvis Doçi. Martinaj ka pretenduar se Doçi, për shkak të lidhjeve të afërta me Saimir Tahirin, ka qenë në dijeni të operacionit “Fundi i Marrëzisë” dhe i ka shitur makinetat pak para se të nisnin operacionet policore për bllokimin e tyre. Nisur nga ky pretendim, Ervis Martinaj i ka kërkuar Elvis Doçit kthimin e parave që i kishte dhënë për blerjen e makinetave, vlera e të cilave llogaritej në disa qindra mijëra euro.

Sipas të dhënave, Elvis Doçi ka refuzuar kthimin e shumës dhe madje flitet edhe për një përplasje fizike ndërmjet tyre, ku Ervis Martinaj ka rezultuar me plagë të rënda nga goditja me sende të forta. Pas këtij sherri, në fund të tetorit 2013, në zonën e “Komunës së Parisit” vritet në një atentat Elvis Doçi dhe plagoset rëndë një i afërm i tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë