Drejtësia

Apeli lë në burg të riun që akuzohet për nxitje të terrorizimit

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme e Apelit ka refuzuar të lirojë Bledar Zenelin, i cili u arrestua në fillim të gushtit me dyshimet se me anë të rrjeteve sociale bënte propaganda për Shtetin Islamik dhe thirrje për sulme terroriste.

Gjithashtu Gjykata e Shkallës së Dytë shpalli moskompetencën për dosjen, duke e dërguar dosjen në Gjykatën e Apelit Durrës.

Zeneli ka pranuar se ka publikuar statuse të tilla në rrjetet e tij sociale, por ka pretenduar se ato nuk janë për qëllime ekstremiste dhe se në një pjesë të tyre ka cituar Kuranin.

Zeneli u arrestua në 2 gusht nga Antiterrori, pasi dyshohet se shpërndante thirrje terroriste dhe nxitje të urrejtjes nëpërmjet rrjeteve sociale, në mbështetje të ISIS.

Ndërkohw ai akuzohet për kryerjen e veprave penale: “Nxitjes thirrjes dhe propagandës për kryerjen e veprave me qëllime terroriste” dhe “Nxitjes së urrejtjes ose grindjeve”

30-vjeçari me profesion murator dhe elektriçist u la në arrest me burg nga Gjykata e Posaçme më 4 gusht, pasi SPAK e dyshon se ai nxiti urrejtjen në rrjetet sociale dhe kreu propagandë për qëllime terroriste.

I dyshuari i ka mohuar akuzat e antiterrorist, që për dy vjet e vëzhgoi përmes kompjuterit për postimet që ai shpërndante në Twitter, Facebook dhe Instagram dhe që SPAK i konsideron si mbështetje të ISIS dhe kundër shtetit shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë