Nga Gazeta “SI” – Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar çmimet e reja të energjisë për bizneset në tregun e lirë. Sipas vendimit të fundit, bizneset në tensionin 20, 10 dhe 6 KW do të paguajnë 18.26 lekë/KWh dhe ato të lidhur në tensionin 35 KW do të paguajnë 31.2 lekë/KWh.
Më herët Ministria e Energjisë pati njoftuar se çmimet e tensionit 20, 10, 6 KW do të luhaten në marzhin e 18 dhe 22 lekë/KWh. Ndërsa ato në tensionin 35 KW, do të faturoheshin me një çmim preferencial, prej 12 lekë/KWh të marrë nga KESH, që më pas do të mesatarizohej dhe me çmimin e tregut, deri në qershor 2022, por sipas njoftimit të ministres së Energjisë, Belinda Balluku po diskutohej zgjatja e skemës, përtej qershorit.
Bizneset që dolën në treg të lirë, duhet të siguronin vetë energjinë elektrike, por pas ankesave nga vetë bizneset qeveria vendosi liberalizmin e pjesshëm, ku ata mund ta siguronin energjinë nga operatorët publikë, me një çmim preferencial, por jo të rregulluar.
Ndërkohë Europa po përballet me çmime stratosferike të elektricitetit, ku në bursën Hungareze, një megavatorë po shitet me mbi 500 euro dhe të enjten e 18 gushtit, arriti 563 euro/MWh. Situatë që solli anulimin e blerjes së energjisë nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, KESH, për datat 15-21 gusht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.