Nga Gazeta “SI” – Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Joseph Borrell, ka treguar se përsëri nuk ka asnjë marrëveshje midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, por të dy janë pajtuar të vazhdojnë diskutimet në ditët e ardhshme.
“Fatkeqësisht ende nuk kemi arritur marrëveshje sot, jo, më vjen keq. Por ky nuk është fundi i rrëfimit meqë të dy udhëheqësit u pajtuan se procesi duhet të vazhdojë dhe diskutimet do të vazhdojnë në ditët që po vijnë. Ka ende kohë deri më 1 shtator. Pra sot nuk ka marrëveshje, por ne nuk dorëzohemi, ne duhet të vazhdojmë diskutimet, duhet të kërkojmë zgjidhje, procesi do të vazhdojë”, tha Borrell.
Bisedimet e sotme midis dy homologëve ishin si rezultat i tensioneve të nxitura në veri të Kosovës që nga fundi i muajit korrik. Grupe protetsuesish nga Serbia bllokuan rrugët për të kundërshtuar vendimin e qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit për përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave.
Borrell u shpreh se nuk është momenti për të ngritur tensionet, është koha të kërkohen zgjidhje dhe për të zgjidhur çështjet e hapura për shumë kohë.
“U thashë edhe dy udhëheqësve se ky ishte një takim në formën e menaxhimit të krizës, nuk ishte një takim i zakonshëm. Synimi i këtij takimi ishte të qetësojmë situatën në teren”, tha ai.
Ai shprehu bindjen se kryeministri Kurti edhe presidenti Vuçiç e kuptuan se nuk ka një alternativë përveç bisedimeve për të zgjidhur çështjet e hapura.
Të dyja palët janë takuar edhe me zyrtarët europianë dhe pritet një takim joformal edhe me të dërguarin e SHBA-ve në Ballkan, Gabriel Escobar.
Ky është takimi i tretë Kurti-Vuçiç në Bruksel brenda një viti, pas atij të tetorit 2021, përsëri mbi reciprocitetin e targave dhe tensioneve në Mitrovicë të Veriut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




