Futboll

Milani nis mbrojtjen e titullit me ‘poker’, shkëlqen Rebiç

Gazeta Si – Start kampioni për Milanin. Në ndeshjen hapëse të kampionatit 2022-2023, kuqezinjtë mundën 4-2 Udinezen. Një fitore jo shumë e lehtë, në fakt. Milani ia doli të përmbysë Udinezen, falë një Ante Rebiç në formë shumë të mirë.

Hernandez shënon me penallti. Gazeta Si, 13 gusht 2022

Ndeshje nisi me një malore për skuadrën e Stefano Piolit, që pësoi gol pas 2 minutash. Megjtihatë, reagimi ishte i shpejtë. Teo Hernandez barazoi me penallti, kurse Rebiç i kaloi kuqezinjtë në avantazh brenda pak minutash. Udineze gjeti forca dhe barazoi para se të mbyllej pjesa e parë.

Sapo nisi e dyta Brahim Diaz i dha avantazhin ekipit të tij, duke shfrytëzuar një gabim të mbrojtjes mike. Rebiç më pas shënoi golin e 4-t dhe të 2-tin personal. Milani fitoi sigurinë e duhur pas këtij goli.

Trajneri Pioli, në avantazhin e 2 golave, freskoi krejtësisht sulmin, duke hedhur në fushë Salemaekers, De Ketelaere, Zhiru dhe Origin. Kampionët e ruajtën avantazhin pa shumë probleme dhe në fund iu gëzuan fitores së parë të kampionatit. Mbrojtja e titullit ka nisur në mënyrën më të mirë.

Ndeshjen e parë e ka fituar edhe Atalanta e Gjimshitit, që mposhti Sampdorian në fushën e saj, me rezultatin 0-2. Mbrojtësi i Kombëtares luajti 90 minuta në këtë ndeshje.

Interi fitoi 1-2 në fushën e Leçes. Me fat zikaltrit, të cilët e gjetën golin e fitores në minutën e 5-të shtese me Dumfris. Lukaku realizoi pas 2 minutash lojë, por Leçe barazoi me Cise dhe e vuri në vështirësi ekipin e Inzagit. Kristjan Asllani nuk luajti asnjë minutë në këtë ndeshje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë