Komunitet

Skllevër modernë e viktima të trafikut, shqiptarët të parët në Angli

Shqiptarët janë vënë në qendër të përplasjes politike mes konservatorëve dhe laburistëve në Britaninë e Madhe në lidhje me politikat e emigracionit. Njëra palë i sjell si shembull se pse duhen ashpërsuar këto politika dhe ekstraduar në Ruandë emigrantët e paligjshëm, e pala tjetër i merr si shembull të dështimit të politikave aktuale të palës tjetër.

Në gjithë debatin publik e politik që ka mbërthyer, mediat në ishull vijojnë të mbushen me artikuj me në qendër shqiptarët. DailyMail solli një raport të inteligjencës ushtarake britanike, sipas të cilit 40 për qind e emigrantëve të paligjshëm që kalojnë Kanalin e La Manshit me varka janë shqiptarë.

‘The Sun’ solli një investigim se si trafikonin përmes këtij kanali grupet kriminale shqiptare emigrantët e paligjshëm dhe BBC një artikull se si thuajse gjysma e rasteve të martesave të rreme për letra në Britaninë e Madhe kishin të përfshirë një shtetas shqiptar.

Tani, ‘The Telegraph’ sjell rastin se si ‘numra rekord shqiptarësh’ po abuzojnë me ligjet vendase duke pretenduar se janë viktima të skllavërisë moderne e të trafikut për të shmangur deportimin. Sipas ‘The Telegraph’, nga të dhënat e publikuara të enjten, shqiptarët janë të parët në listën e shtetasve që pretendojnë se janë viktima të skllavërisë moderne, apo trafikut duke tejkaluar në shifra edhe vetë shtetasit britanikë.

Duke cituar të dhënat e “Home Office”, media britanike thotë se në tremujorin e dytë të këtij viti, shqiptarët përbënin 27 për qind të rasteve totale të raportuara si viktima të skllavërisë moderne, apo trafikut.

Në total, në këtë periudhë janë 4171 persona që pretendojnë se janë viktima, nga të cilët 1130 janë shtetas shqiptarë, duke tejkaluar britanikët që janë 1013, ose rreth 24 për qind e numrit të përgjithshëm të raportimeve.

Të tretët renditen shtetasit e Eritreas, me 293 raste, ose rreth shtatë për qind. “The Telegraph” thotë se ekspertët dhe autoritetet britanike besojnë se shqiptarët po pretendojnë se janë viktima të trafikut dhe të skllavërisë moderne në përpjekje për të rritur mundësitë për të qëndruar në ishull, pasi kërkesat për azil nga një vend që nuk është në luftë janë thuajse të pasuksesshme.

Nga të dhënat, pjesa dërrmuese e shqiptarëve denoncojnë se janë mbajtur me zor dhe përfshirë në punë të detyruar në shtëpitë e hashashit, duke nxitur Agjencinë Kombëtare të Krimit që të ashpërsojë luftën kundër grupeve kriminale shqiptare që ushtrojnë këtë aktivitet në Britaninë e Madhe.

Ministrja e Brenshme britanike, Priti Patel tha se qeveria do të ndërhyjë me shpejtësi te legjislacioni kundër skllavërisë moderne për të mbyllur boshllëkun që po shfrytëzohet nga shqiptarët që shmangin deportimin e menjëhershëm në atdhe.

“Të dhënat tregojnë se sa lehtësisht mund të anashkalohet sistemi. Është një hile për të shmangur deportimin nga Britania e Madhe. Reforma e propozuar nga Priti Patel synon që t’i jepet fund abuzimit me ligjin dhe të sigurohet mbrojtja për viktimat reale të skllavërisë moderne”, citohet një burim i qeverisë britanike nga “The Telegraph”.

Numri i personave që deklarohen viktima të skllavërisë moderne dhe të trafikut është rritur ndjeshëm muajt e fundit. Vetëm në gjashtë muajt e parë, shifra e përgjithshme është 34 për qind më e lartë se të gjitha deklarimet e vitit të kaluar. Rritjen më të madhe të kërkesave e kanë shtetasit shqiptarë.

Britania e Madhe miratoi në 2015 aktin e skllavërisë moderne. Sipas këtij akti, policia, këshillat vendorë, shoqatat dhe agjencitë qeveritare janë të detyruara që të referojnë te ekspertët e Ministrisë së Brendshme viktimat potenciale të skllavërisë moderne, apo trafikut. Ekspertët më pas vlerësojnë sipas rasteve nëse aplikanti meriton mbështetje, që përfshin strehimin, këshillimin, ndihmën ligjore dhe ushqimin. Gjatë shqyrtimit të kërkesës, aplikanti nuk mund të deportohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë