Trashëgimi

Bie vizitueshmëria në muze, kala e parqe, por Margariti flet për arritje duke u krahasuar me pandeminë

Nga Gazeta Si - Institucioneve të trashëgimisë kulturore do t’u duhet sërish të krijojnë politika nxitëse për të rritur vizitueshmërinë, pasi shifrat e 6-mujorit të parë të këtij viti sa i përket vizitorëve në institucionet e trashëgimisë kulturore, mbeten të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-ës.

Ndonëse ministrja e Kulturës, Elva Margariti vë në dukje rritjen e numrit të vizitorëve në institucionet e trashëgimisë kulturore në 6-mujorin e dytë të 2022 në raport me dy vitet e fundit ku vendi ishte nën pandemi (dhe situata e pazakontë mbylli parqet arkeologjike dhe muzetë në mbarë vendin, duke mos qenë të hapur për vizitorët, por vetëm për administratën), 6-mujori i këtij viti me 213.519 vizitorë ka 182.563 vizitorë më pak në krahasim me shifrat e vitit 2019 të publikuara nga INSTAT.

“Në 6-mujorin e parë të këtij viti, numri i vizitorëve në objekte të trashëgimisë kulturore ka qenë dy herë më shumë se në vitin 2021!”, shkruan ministrja Margariti për vizitueshmërinë, ndërsa shton se “monumentet tona po bëhen gjithnjë e më ftuese për vizitorët!”.

Statistika të 2022 të bëra publike nga ministrja Margariti

Numri i vizitorëve gjithsej në muze, kala dhe parqe arkeologjike në tremujorin e parë 2019 ka qenë 64.315 vizitorë. Nga totali i vizitorëve në institucionet e trashëgimisë kulturore 25.916 kanë qenë vizitorë në muze, 18.518 vizitorë në kala e monumente të tjera, dhe 19.881 vizitorë janë në parqe arkeologjike.

Vizitueshmëria në tremujorin e parë të 2019

Ndërsa në tremujorin e dytë të vitit 2019, numri i vizitorëve gjithsej në muze, kala dhe parqe arkeologjike ka qenë 331.767 vizitorë. Nga totali i vizitorëve në institucionet e trashëgimisë kulturore, 103.536 kanë qenë vizitorë në muze, 97.446 vizitorë në kala e monumente të tjera dhe 130.785 kanë qenë vizitorë në parqe arkeologjike.

Vizitueshmëria në tremujorin e dytë të 2019

E nëse i mbledhim dy tremujorët shkojmë në shifrën 396.082 vizitorë në 2019, që ka goxha diferencë me 213.519 vizitorë të 6-mujorit të këtij viti që ministrja e cilëson si një arritje sa i përket vizitueshmërisë.

E njëjta situatë paraqitet edhe me vizitueshmërinë vetëm në muze.

“Statistikat e gjashtëmujorit të parë janë optimiste sa i takon numrit të vizitorëve. Krahasuar me një vit më parë, shumë më shumë vizitorë kanë shijuar pasuritë e muzeve tanë’, shkruan Margariti bashkangjitur fotos ku bën publik numrin e vizitorëve në muze (89.218 vizitorë në 6-mujorin e parë të 2022).

Vizitueshmëria në muze në 6-mujorin e parë të 2022

Por nëse hedhim një sy në shifrat e 2019-s, vit para pandemisë, numri i vizitorëve në muze, në tremujorin e parë 2019 është 25.916, ndërsa në tremujorin e dytë të 2019-s numri i vizitorëve në muze ka qenë 103.536, pra 129.452 vizitorë në total, 40.234 mijë vizitorë më shumë se 2022.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë