Futboll

Vendimet e KE-së, nxitje për lojtarët e rinj dhe investime në infrastrukturë

Gazeta Si – Komiteti Ekzekutiv pranë FSHF-së ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës, ku ka marrë disa vendime para nisjes së sezonit të ri. Vendimet kanë të bëjnë me rregulloret e kompeticioneve dhe me disa investime në infrastrukturë.

Një vendim interesant është ai që ka të bëjë me nxitjen e klubeve për aktivizimin e lojtarëve të rinj. Është propozuar të krijohet një sistem financiar nxitjeje për klubet e Kategorisë së Parë, saktësisht për lojtarët nga 16 deri në 21 vjeç.

Nga një mbledhje e Komitetit Ezkeutiv të FSHF-së. Gazeta Si, 4 gusht 2022

Propozimi u miratua menjëherë dhe pritet të ketë impakt të rëndësishëm në promovimin e të rinjve.
Në mbledhjen e KE-së u miratua vendimi për ndërtimin e 3 fushave me bar artificial në ‘Kompleksin Zmijani’ në Shkodër. Po ashtu, janë miratuar shtesa investimesh në stadiumin e ri të Partizanit dhe të Kukësit.

Gjatë mbledhjes është bërë edhe informimi nga komisioni i ekspertëve sa i takon shitjes të së drejtës televizive të Superiores, Kupës së Shqipërisë, Superkupës së Shqipërisë dhe Kategorisë së Parë. Tani do të ndiqen hapat e tjerë për finalizimin e procesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë