Kosova

Situata në veri, Moska: Kosova provokon, e mbështetur nga SHBA dhe BE

Gazeta Si – Rusia ka reaguar menjëherë pas situatës së vështirë në veri të Kosovës, ku për shkak të “krizës së targave”, autoritetet vendase kanë mbyllur dy pika kufitare.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova kërkoi që, “Prishtina, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të ndalojnë provokimet”.

“I bëjmë thirrje Prishtinës, SHBA-ve dhe BE-së që e mbështesin Kosovën, që t’i japin fund provokimeve dhe të respektojnë të drejtat e serbëve të Kosovës”.

Sipas Moskës “liderët kosovarë e dinë se serbët nuk do të qëndrojnë indiferentë ndaj një sulmi të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së tyre”, ka shtuar ajo, duke thënë se objektivi i këtij sulmi është vetë Beogradi.

Nga Brukseli, NATO ka bërë të ditur “se është e gatshme të ndërhyjë nëse cenohet stabiliteti i rajonit”.

Misioni ndërkombëtar KFOR nën udhëheqjen e NATO-s në Kosovë “po monitoron nga afër situatën dhe është i gatshëm të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti”. Kështu lexohet në një komunikatë ku thuhet se “gjendja e përgjithshme e sigurisë në komunat veriore të Kosovës mbetet e tensionuar”.

Në Uashington, përpiqen të qetësojnë situatën. Administrata Biden nuk ka ndërmend të hapë një front tjetër me Moskën.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i kërkoi Kurtit që të kërkojë një zgjidhje pragmatike për targat dhe ndërkohë sugjeroi shtyrjen e afatit për respektim për një muaj: nga 30 shtatori në 31 tetor. Këshillë që u pranua.

Në pamje të parë, duket një mosmarrëveshje burokratike dhe casus belli – ndalimi i targave serbe të vendosura nga Prishtina – pasi masa u zbut nga qeveria e Kosovës, e cila e shtyu vendimin për një muaj.

Minoriteti serb që jeton në Kosovë (rreth 5% nga një popullsi prej 1.8 milionë banorësh) përdor targa të regjistruara në Beograd. Qeveria e Prishtinës i ka detyruar të gjithë t’i ndryshojnë me ato kosovare.

Masa shkaktoi protesta në mesin e serbëve të vendosur në zonën veriore të Kosovës. Mbrëmjen e së dielës, persona të të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri ndaj policisë kufitare kosovare.

Krerët e dy vendeve nuk prisnin asgjë më shumë për të vijuar përplasjen mes dy vendeve. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, menjëherë deklaroi: “Orët e ardhshme, ditët në vijim, javët e ardhshme mund të jenë shumë problematike”.

Nga Beogradi, presidenti Aleksander Vuçiç u përgjigj: “Ne lutemi për paqe, por nëse keqtrajtojnë dhe vrasin vëllezërit tanë, Serbia do të fitojë”.

Rajoni është një nga pikat më delikate dhe më të ndërlikuara në gjeopolitikën botërore.

Edhe Serbia edhe Kosova kanë aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por Serbia është shumë afër Rusisë dhe pjesërisht edhe me Kinën.

Kosova, në anën tjetër, mbështetet në mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara. Një konflikt do të ripropozonte një model të ngjashëm me atë të Ukrainës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë