Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha më 30 korrik se përfaqësuesit e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës do të fillojnë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Gjatë një konference për media në Serbi, ai tha se kjo do të jetë përgjigja nëse autoritetet e Kosovës nuk heqin dorë nga synimi i tyre që nga 1 gushti të nisin zbatimin e vendimeve për targa të automjeteve dhe letërnjoftimet serbe.
“Serbët nuk kanë çfarë të presin. Nëse ata mund të sillen si të duan, atëherë është normale që serbët të nisin krijimin e Asociacionit. Kanë kaluar dhjetë vjet dhe ata duhet të sigurojnë të drejtat e tyre”, tha Petkoviç.
I pyetur që të jap detaje lidhur me formimin e Asociacionit, Petkoviç u përgjigj:
“Ne do t’iu informojmë me kohë për çdo gjë”.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për formimin e Asociacionit më 2013, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja. Më 2015, palët po ashtu arritën Marrëveshjen mbi parimet e krijimit të këtij Asociacioni, por zbatimi i marrëveshjes ka ngecur.
Në të njëjtin vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte thënë se 23 pikat e marrëveshjes nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës. Megjithatë, në vendim ishte thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
Qeveria e Kosovës insiston se nuk mund të ketë asociacion njëetnik, ndërkaq Serbia vazhdimisht ka insistuar në formimin e tij.
Në konferencën më 30 korrik, Petkovic tha se Asociacioni do të mundësonte të drejta kolektive dhe individuale për serbët në Kosovë.
Deklaratat e Petkoviç vijnë teksa më 1 gusht pritet të nisë riregjistrimi i makinave që kanë targa me akronime të qyteteve të Kosovës dhe që lëshohen nga Serbia. Këto targa nga Prishtina zyrtare konsiderohen të jashtëligjshme.

Procesi i riregjistrimit pritet të zgjasë deri më 30 shtator.
Po ashtu më 1 gusht, të gjithë qytetarët që do të hyjnë nga territori i Serbisë në Kosovë, do të pajisjen me një dokument për hyrje-dalje. Sipas autoriteteve në Kosovë, praktikë të njëjtë Serbia e aplikon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet.
Petkoviq tha se vendimet e Qeverisë së Kosovës, sa i përket riregjistrimit të makinave dhe dokumentit për hyrje-dalje, janë “joligjore”.
Ai tha se sa i përket letërnjoftimeve, autoritetet në Kosovë po i referohen nenit 3 të Marrëveshjes për lëvizjen e lirë, të arritur në kuadër të dialogut.
Sipas këtij neni, “palët duhet të zbatojnë një sistem ku letërnjoftimeve do t’iu bashkëngjiten dokumente ku shkruhet ‘hyrje-dalje’ për banorët e palës tjetër që dëshirojnë të udhëtojnë transit për në një shtet të tretë”.
“Ajo që nuk shkruhet në këtë nen është për dokumentet që përdoren për të hyrë dhe dalë [nga shteti] që lëshohen për banorët e palës tjetër, është se ky [vendim] i referohet në mënyrë specifike serbëve që jetojnë në territorin e Kosovës”, tha Petkoviç.
Ai tha se neni 3 i marrëveshjes i referohet qytetarëve të Serbisë që jetojnë në Serbi, dhe jo, siç tha ai, atyre që jetojnë në Kosovë.
“[Kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti nuk është i interesuar për marrëveshje, ai është i interesuar në largimin e letërnjoftimeve serbe për serbët që jetojnë në Kosovë. Ai dëshiron që ta largoj nga territori i Kosovës ekzistencën e shtetit të Serbisë”, shtoi ai.
Ndërkaq, më herët gjatë 30 korrikut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Kosova nuk i preferon këto dokumente të përkohshme, por shtoi se autoritetet do të veprojnë ashtu siç vepron Serbia me shtetasit e Kosovës për më shumë se një dekadë./ REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje