Kosova

Kurti: Takimi me Vuçiçin mund të mbahet në fund të gushtit

“Në vend se të ndodhë takimi me 19 korrik, tani shpresohet që mbase mund të mbahet në fund të gushtit”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për Zërin e Amerikës, kur u pyet për takimin e radhës në Bruksel.

Sipas tij, takimi i 19 korrikut ka dështuar për shkak se Beogradi e ka refuzuar atë dhe ka kërkuar një shtyrje mbi një mujore.

“Kosova ka qenë përherë me çdo zyrtar të saj, gjatë procesit të Brukselit, konstruktive, kreative dhe e përkushtuar. Sekretari Blinken kërkoi që ne edhe më tej të jemi të tillë, ne do të vazhdojmë të jemi të tillë, por është Beogradi ai i cili po punon kundër marrëveshjeve dhe kundër marrëdhënieve të mira fqinjësore, ndërkohë që ne jemi konstruktivë dhe këtë Brukseli tashmë e ka regjistruar”, tha ai.

Kurti vlerësoi marrëveshjen prej mbi 236 milionë dollarë për energjinë të nënshkruar me MCC-në dhe tha se dy vendet synojnë të thellojnë bashkëpunimin ekonomik dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare.

Ndërsa bisedimet me Serbinë kanë ngecur dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken theksoi rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve, Kurti tha se Kosova asnjëherë nuk e ka mohuar rëndësinë e bisedimeve por se ato duhet të jenë parimore dhe me synimin përfundimtar për njohje reciproke.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë