Kosova

Kurti: Marrëveshja me SHBA-në, gur themeli për sigurinë energjitike të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për nënshkrimin e Marrëveshjes energjitike, siç e ka quajtur ai historike, me MCC-në( Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit)në Washington duke thënë se përveç investimit në sektorin e energjisë, ajo ka rëndësi për thellimin e marrëdhënieve me SHBA-në.

“Programi Kompakt do të jetë gur themeli i tranzicionit tonë të gjelbër dhe do të kontribuojë në sigurinë tonë energjetike dhe transformimin socio-ekonomik. Kështu, Kosova për herë të parë po krijon kapacitetet e saj të para për akumulimin me bateri të energjisë elektrike, si dhe po investon në zhvillimin e shkathtësive të reja në sektorin e energjisë, duke u përgatitur për tranzicionin e drejtë energjetik”, shkroi ai në Facebook.

Kurti më tej është shprehur se Kosova i është jashtëzakonisht mirënjohëse Shteteve të Bashkuara të Amerikës që po qëndrojnë përkrah tyre në realizimin e investimeve të bazuara në vlera dhe interesa të përbashkëta.

“Në veçanti, falënderoj kryeshefen ekzekutive të MCC-së, Alice Albright, ministren tonë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe dy ekipet përkatëse që studiuan, shqyrtuan e negociuan për të arritur te rezultati i shkëlqyeshëm dje”, shkroi ai.

Sot(28 korrik) Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë ku në mesin e pikave të parashikuara pritet të futet edhe ratifikimi i marrëveshjes 236-milionëshe me MCC-në.

Këtë e bëri të ditur vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga Washingtoni, ku tha se “kjo marrëveshje do t’i prezantohet edhe Kuvendit të enjten për ratifikim. Fatkeqësisht nuk do të jemi prezentë kur edhe opozita do ta mbështetë këtë marrëveshje”.

Rizvanolli ka thënë se ky program do të mundësojë stabilizimin e furnizimit me energji elektrike, integrimin e burimeve te ripërtëritshme të energjisë dhe përgatitjen e fuqisë punëtore për punësim në sektor të energjisë, me fokus të veçantë te gratë.




Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë