Gazeta Si – Kristiano Ronaldo në një situatë të pazakontë. Portugezi nuk është më ai futbollisti që çdo klub ëndërronte ta kishte. Jo vetëm se është në perëndim të karrierës, por edhe për shkak të karakterit të tij.
Bajern Mynih dhe Atletiko Madrid janë dy klubet që janë distancuar së fundi nga një transferim i mundshëm i sulmuesit. Si gjermanët, ashtu edhe spanjollët, kanë hedhur poshtë çdo mundësi për të pasur në skuadër Kristiano Ronaldon.

Te Bajerni ka folur Olivier Kahn, një nga drejtuesit e lartë të klubit bavarez. Ai ka theksuar se Ronaldo nuk i përshtatet filozofisë së Bajernit dhe nuk është në planet e tij.
Tek Atletiko ndërkohë ka folur vetë presidenti Cerezo. Ai është shprehur se Ronaldo nuk ka qenë kurrë një objektiv i merkatos dhe se nuk e di se si u shpik kjo histori. Reagimi i tifozëve të Atletikos kundër portugezit ishte i menjëhershëm.
Aktualisht Kristiano Ronaldo është duke punuar me menaxherin e tij Horge Mendes për mbylljen e aventurës së dytë te Mançester Junajtid. Pavarësisht fjalëve të trajnerit ten Hag se e ka në plane lojtarin, e ardhmja duket larg ‘Djajve të kuq’.
Përveç Bajernit dhe Atletikos, emri i Ronaldos ka dalë edhe te Napoli, por thjesht si hipotezë, nëse Osimhen transferohej te bavarezët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




