Futboll

Në dush pa pantofla? 100 stërlina gjobë! Rregullat e hekurta të Aston Vilës

Gazeta Si – Disiplina dhe rregulli mbi të gjitha. Stiven Xherrard, trajneri i Aston Vilës, njihet për ashpërsinë, por që para ardhjes së tij klubi kishte vendosur një listë gjobash. Disa prej tyre pak të çuditshme, që më pas u bënë virale në rrjet.

Gjobë 600 euro për ata që paraqiten me vonesë në stërvitje. Jeleku “më i keqi në fushë” duhet mbajtur një javë nga ai që gabon në minindeshjen e rifiniturës një ditë para ndeshjes zyrtare.

Stiven Xherrard, trajneri i Aston Vilës. Gazeta Si, 27 korrik 2022

Janë disa rregulla të hekurta tek Aston Vila. Një listë e detajuar që ka të bëjë me sjelljen e lojtarëve dhe penalitetet ndaj tyre në rast shkeljesh. Legjenda e Liverpulit e ka gjetur këtë listë te klubi nga Birmingemi, kur zuri vendin e Dean Smith.

Xherrard së pari hoqi ‘ketchup’-in nga tavolia dhe ndryshoi dietën e lojtarëve të tij, por kjo nuk i ndryshon shumë gjërat për këta të fundit.

Si trajner Xherrard njihet si i fortë dhe ndoshta edhe për këtë arsye u zgjodh nga një klub, që prej kohësh ka përparësi disiplinën. Rregullat tek Aston Vila janë vartet shumë të ashpra, disa jashtë kufijve të fushës.

Gjoba më ‘e kripur’ e listës është 1000 stërlina (rreth 1190 euro) për ata që paraqiten me vonesë ditën e ndeshjes. Për vonesën në stërvitje gjoba është 500 stërlina dhe asaj i shtohen 200 stërlina gjobë në minutë për vonesën në fushë.

Problem është të lësh fanellën, të mbathurat, apo materilae të tjera në fushë pas seancës stërvitore. Gjoba është 100 stërlina. Në ndeshje, ndëshkimi për protestë do të thotë 200 stërlina gjobë. Kush ndëshkohet me të kuq duhet të çojë gjithë skuadrën për darkë brenda 4 javësh nga penalizimi.

Nga një stërvitje e Aston Vilës. Gazeta Si, 27 korrik 2022

Problemet për lojtarët e Aston Vilës vazhdojnë edhe jashtë fushe. Lënia e pjatave apo gotave në tavolinën e drekës në qendrën e stërvitjes kushton 100 stërlina. Gjobë 200 stërlina merr ai që vonohet për një seancë te fizioterapisti, apo ai që nuk paraqitet te mjeku i skuadrës brenda orës 10.

Parkimi i gabuar kushton 100 sterlina, një vonesë në një event me sponsorët 250 stërlina. Një nga gjobat më të çuditshme është ajo prej 100 stërlinash, nëse hyn në dysh pa pandofla. Gjoba më ‘e ëmbël’, 50 stërlina në ditë, për atë që nuk sjell tortë për ditëlindjen e tij.

Edhe pse kjo listë gjobash e bërë virale ka qenë para kohës së Xherrard, disiplina është një nga ‘armët’ më të forta të trajnerit anglez.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë