Gazeta Si – Juventusi është pranë goditjes Roberto Firmino në sulm. Një lëvizje e befasishme kjo e klubit bardhezi, duke parë vështirësitë për të rikthyer Alvaro Moratën, apo edhe për alternativat e tjera Verner dhe Martial.
‘Corriere dello Sport’ bën me dije se Juventusi ka ndryshuar strategji për të kompletuar repartin e sulmit. Tani është shumë afër Bobi Firminos të Liverpulit. Brazilianit i skadon kontrata me ekipin anglez në vitin 2023.

Oferta e Juventusit bazohet në 19 milionë stërlina, pak më shumë se 22 milionë euro. Palët duken pranë akordit, por mbetet për t’u parë çfarë do të ndodhë konkretisht.
Në klubin italian ka zhvillime edhe për mesfushën. Leandro Paredes shihet si përforcimi i duhur për Alegrin. ‘La Repubblica’ shkruan se Juventusi ka një akord me lojtarin dhe tani mbetet që të bëjë të njëjtën gjë edhe me PSG-në. Francezët e vlerësojnë Paredesin 20 milionë.
Më në fund, Juventusi është liruar zyrtarisht edhe nga Aron Ramsei. Mesfushori uellsian ka ndërprerë kontratën. Gjatë 6 muajve të fundit ai u aktivizua me Gllasgou Rejnxhër në formë huazimi.
Bardhezinjtë ndërkohë barazuan 2-2 në miqësoren me Barcelonën në Amerikë. Të dy golat për Juventusin u shënuan nga Moise Kean.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




