Futboll

Një femër presidente e Premier Ligës, për herë të parë në histori

Gazeta Si – Klubet kanë votuar në unanimitet në favor të saj. Alison Brittain do të marrë vendin e Peter McCormik në krye të kampionatit elitar në Angli. Ndodh për herë të parë në historinë e Premier Ligës që presidente të jetë një femër.

Alison Brittain është zgjedhur në krye të Premier Ligës. Detyrën e merr zyrtarisht në fillim të 2023-shit, duke zëvendësuar presidentin e përkohshëm Peter McCormick. Është ajo femra e parë në histori në krye të kampionatit anglez.

Alison Brittain. Gazeta Si, 27 korrik 2022

Brittain është një nga drejtueset kryesore të kompanive në vend. Ajo ka një curriculum të klasit të parë në lidershipin strategjik në sektorë të ndryshëm. Prej 2015-ës është administratore e ‘Whitbread PLC’ (rol që do ta lërë në fund të vitit), një nga kompanitë më të vjetra në Britaninë e Madhe.

Më parë ka pasur një karrierë 10-vjeçare si drejtuese në sektorin financiar, fillimisht në ‘Barclays PLC’ dhe më pas në ‘Santander’ dhe ‘Lloyds Banking Group PLC’. Ka qenë edhe pjesëtare e ‘Advisory Board’ e kryeministrit britanik.

“Jam tifoze e futbollit që kur isha fëmijë, prandaj jam shumë e lumtur që jam zgjedhur presidente e Premier Ligës, – ka thënë Brittain pas zgjedhjes. – Futbolli ka një rëndësi të madhe në nivel kombëtar, ndiqet nga shumë njerëz në gjithë botën dhe mund të ketë një impakt pozitriv në komunitet.

Do të jetë një priviligj të ndihmoj në zhvillimin e planeve për të ardhmen dhe të punoj me të gjitha palët e përfshira për të garantuar mbështetje dhe sukses për një kohë sa më të gjatë.

Mezi pres të punoj me administratorin e deleguar Richard Masters, këshillin dhe klubet për të garantuar rritjen e suksesit global të Premier Ligës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë