Menaxhim

Ballkani Perëndimor në një tranzicion energjitik drejt burimeve të gjelbërta

Nga Gazeta “SI” – Ballkani Perëndimor dhe shtetet e tij të vogla, po bëjnë investime të mëdha dedikuar tranzicionit energjitik dhe përshpejtimit të përshtatjes së burimeve alternative të energjisë.

South East Europe Energy Outlook, SEEO, e cilëson procesin e tranzicionit energjitik të BP-së si të qëndrueshëm dhe me potencial dominues për në të gjithë kontinentin.

Sipas statistikave, në Ballkanin Perëndimor janë momentalisht duke u punuar 58 projekte të mëdha energjitike me një shumë prej më shumë se 5.6 mld eurosh.

Por të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor janë në nivele të ndryshme të tranzicionit energjitik dhe përballen me lehtësira dhe pengesa të ndryshme, lidhur dhe me të shkuarën e këtij sektori.

Shqipëria

Shqipëria është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka përfituar pothuajse 100% të energjisë elektrike gjithmonë nga burime të rinovueshme siç janë ato hidrike, duke e bërë atë imune ndaj rreziqeve dhe një hap përpara në rrugën drejt energjisë “së gjelbërt”.

Por temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve kërcënuan sektorin energjitik në Shqipëri, duke çuar në shpalljen e një krize energjitike, pasi hidrocentralet kryesore në vend arritën nivelet minimale historike.

Referuar fjalës së ministres së Energjisë, Belinda Balluku, për mundësi alternative të energjisë, ajo e quajti si “çelës” marrëveshjen me kompaninë amerikane Excelerate për krijimin e një termocentrali lundrues. Në triportin e Vlorës, do të qëndrojnë dy anijet e ardhura nga SHBA, që me shfrytëzimin e gazit do të prodhojë energji elektrike me kapacitet 114 megavatorë për dy vite, aq sa zgjat kontrata e cila do të merret nga kompania shtetërore e energjisë, KESH.  

Por ky nuk është i vetmi projekt i madh në Shqipëri. Pak kohë më parë, kompania franceze Voltalia nisi punën për impiantin më të madh fotovoltaik në BP, në zonën e Karavastasë. Projekti ka kapacitet 140 megavatorë dhe synon të mbulojë me energji nevojën e 220 mijë banorëve dhe të shmangë emetimin e më shumë se 96.500 ton CO2 në vit.

Në zonën e Banjës, mbi lumin Devoll janë vendosur për herë të parë, panele solare në ujë me kapacitet prodhimi 72 megavatorë.

Në pritje është edhe ndërtimi i një parku eolik në zonën e Lezhës, me kapacitet 234 megavatorë, e ndarë në dy pjesë, pranë brigjeve detare të qytetit.

Nga ana tjetër, HEC-i i Fierzës, i cili momentalisht është i mbyllur, do të hyjë në fazën e rregullimit dhe përshtatjes me Agjendën e Gjelbërt të BE-së. Gjithashtu, kompania amerikane Bechtel do të ndërtojë HEC Skavica, në kufi me Maqedoninë e Veriut.

Këtë nëntor, Shqipëria pritet të hapë për herë të parë bursën e saj të energjisë elektrike.

Maqedonia e Veriut

Fqinji verilindor i Shqipërisë që pret të shpallë në muajin gusht një krizë energjitike, ndonëse vendi e ka nisur herët tranzicionin. Gjithsesi, Maqedonia cilësohet si vendi ballkanik me më shumë zhvillim në sektorin energjitik. Atje po kryhen ankande të energjisë së rinovueshme, qymyri po zëvendësohet me energjinë diellore dhe gaz, me shpejtësi dhe po nënshkruan marrëveshje strategjike investimi për parqe të mëdha të erës dhe impiante fotovoltaike.

Sipas kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovacevski, projektet më të mëdha për vendin, që do të përshpejtojnë tranzicionin energjitik, janë ai i Bitolas, për një park fotovoltaik me kapacitet 160 megavatorë dhe ai gjerman për një park eolik në Kriva Palanka, me kapacitet 414 megavatorë, që pritet të jetë më i madhi në rajon.

Kreu i shtetit të Maqedonisë së Veriut njoftoi edhe për rijetësimin e tetë HEC-eve me kapacitet 2 gigavatorë, si pjesë e procesit të rimodelimit të sektorit energjitik.

Serbia

Lajmi më i fundit nga Serbia është ai i nënshkrimit të marrëveshjes me Hungarinë për prodhimin, ruajtjen dhe transportin e hidrogjenit të dalë nga burimet e rinovueshme të energjisë, si pjesë e strategjisë së vendeve për energji të gjelbërt.

Si vend që furnizohet nga elektriciteti i prodhuar nga qymyri, Serbia po tenton të zgjerojë burimet alternativë të energjisë kudo dhe kurdo. Projekti më i përfolur këto kohë është ai i një parku agrosolar në zonën e Kulas, ku panele diellore me kapacitet 600 megavatorë do të vendosen mbi fushat me të mbjella, duke e bërë atë më të madhin në Europë.

Një tjetër projekt inovator në shtetin serb është ai i furnizimit të aeroportit të Beogradit me energji diellore. Termocentrali solar me 1 MW energji  u instalua pranë kompleksit të aeroportit dhe përbëhet nga 3.000 panele fotovoltaike të shpërndara në një pllajë prej 15.900 metra katrorësh. Investimi synon reduktimin e emetimeve të karbonit nga aeroporti me 900 ton në vit.

Mali i Zi

Një shtet me energji të gjelbërt dhe të qëndrueshme është orientuesi kryesor i ekonomisë së Malit të Zi, sipas qeverisë së krijuar në prill, ndjekur nga nisja e shitjes së energjisë nga burime të rinovueshme.

Mali i Zi ka si burim kryesor të energjisë elektrike, termocentralin e qymyrit dhe më pak, burimet hidirike.

Përpos tranzicionit drejt energjisë së gjelbërt në mbrojtje të planetit, Mali i Zi ka një përqindje shumë të lartë të ndotjes në ajër, pikërisht nga shfrytëzimi i qymyrit si burim elektriciteti.

Momentalisht, kompania shtetërore e energjisë, po studion mundësinë e ngritjes së një HEC-i të ri, në lumin Piva, me një rezervuar në kapacitetin e 800 mln metër kub.

Sipas studimeve, Mali i Zi do të ketë tranzicionin më të ngadaltë nga shtetet ballkanike. Largimi nga qymyri nuk ka gjasa të ndodhë për 30 vitet e ardhshme dhe planet për ndërtimin e burimeve të rinovueshme do të mbesin në letër.

Bosnjë Hercegovina

Bosnja është shteti ballkanik që eksporton më shumë energji, duke mbushur nevojat që nuk i plotëson dot me prodhimin e energjisë nga qymyri dhe HEC-et e vogla. Këto të fundit, sipas një vendimi, nuk do të jenë më të lejueshme, të paktën për të ndërtuar të reja.

Pak ditë më parë, qeveria boshnjake dha koncesione për 4 projekte të energjisë së rinovueshme, dy fotovoltaike dhe dy eolike, si pjesë e strategjisë për të rritur burimet e gjelbërta  deri në vitin 2030.

Parqet fotovoltaike do të jenë 50 dhe 210 megavatorë. Ndërsa ato të erës, 264 dhe 138 megavatorë.

Kosova

Kosova është po ashtu një tjetër shtet i varur nga energjia që prodhohet nga qymyri, por qëllimte jen për ta reduktuar atë. Projekti më interesant është ai i financuar nga një agjenci amerikane për shfrytëzimin e baterive me kapacitet 200 megavatorë për të ruajtur energjinë. Sipas ministres së Energjisë së Kosovës,  Artane Rizvanolli, kjo do të nisë rrugën për transformimin e sektorit energjitik.

Qëllimi i shtetit të Kosovës është të arrijë 1.3 gigavatorë prodhim energjie të rinovueshme deri në vitin 2023. Për vitin që shkoi, ajo prodhoi 137 megavatorë energji eolike, 101 megavatorë nga HEC-et dhe 10 MW nga fotovoltaiket. Energji që është importuar.

Përpos integrimit të tregut energjitik me Shqipërinë, brenda vitit, Kosova synon të blejë dhe një pjesë të Termocentralit me gaz të lëngshëm që do të ndërtohet në qytetin e Vlorës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë