Futboll

Pogba alarmon Juven, në 3 vjet ka humbur 77 ndeshje nga dëmtimet

Gazeta Si – Lajme të këqija për Juventusin. Pol Pogba ka pësuar një dëmtim më serioz nga sa u mendua në fillim. Ai duhet të kryejë një vizitë ortopedike të specializuar, pritet të operohet dhe të qëndrojë 2 muaj jashtë, duke humbur fillimin e kampionatit.

Dëmtimi në gju është shkaktuar nga menisku, që sipas të gjitha gjasave do ta detyrojë mesfushorin francez të kryejë një ndërhyrje kirurgjikale. Një goditje për Alegrin, që besonte shumë te numri i ri 10 i skuadrës.

Pol Pogba, 29 vjeç. Gazeta Si, 26 korrik 2022

Shqetësues është fakti se bëhet fjalë për një problem, që lojtari e vuan prej kohësh dhe ndoshta është më mirë ta zgjidhë njëherëemirë. Rikthimi në fushë, në rast operacioni, parashikohet për në fund të shtatorit.

Një lajm shumë i keq për Alegrin, që nuk do ta ketë Pogba për 6-7 ndeshje. Muaji i parë i kampionatit është shumë intensiv, për shkak edhe të ndërprerjes së tij mes nëntorit dhe dhjetorit nga Botërori i Katarit.

Adrien Rabiot do të jetë zëvendësuesi i Pogba, por ky dëmtim i tij ngre alarmin te Juventusi. Po t’u referohemi numrave të francezit, shqetësimi bëhet edhe më i madh, sepse 3 vitet e fundit Pol Popgba ka humbur plot 77 ndeshje.

Një shifër shumë e lartë dhe duket se kjo është edhe një nga arsyet që Mançester Junajtid vendosi të heqë dorë nga kampioni i botës. Klubi anglez ndoshta është lodhur nga dëmtimet e shpeshta të 29-vjeçarit.

Pagesa e tij ka qenë shumë e lartë, ndërsa paraqitjet në fushë zhgënjyese. Ndikim të madh sigurisht që kanë pasur edhe dëmtimet e Pogba.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë