Dosje

Zbardhet vrasja e Sajmir Jakut para 6 vjetësh, atentat me pagesë i porositur nga një grup kriminal

Gazeta Si - Pas 6 vitesh, 40-vjeçari Dorian Keqi është arrestuar si autor i dyshuar për vrasjen e ish-drejtorit të Tensionit të Lartë për zonën e Veriut, Saimir Jaku, ngjarje e ndodhur më 9 shtator të vitit 2016.

Policia e Lezhës thotë se i arrestuari, i lindur në Kurbin dhe banues në Krujë, në bashkëpunim me persona të tjerë, e ka kryer vrasjen kundrejt pagesës.

Po ashtu, policia sqaron se ka identifikuar porositësit, të cilët dyshohet të jenë një grup i strukturuar kriminal që vepron në qarkun e Lezhës.

Autoritetet i kanë identifikuar ata dhe i kanë vënë nën hetim, por për shkak të sekretit hetimor, nuk bëjnë publike të dhëna të tjera.

“Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, dyshohet se e ka kryer krimin e vrasjes së shtetasit Saimir Jaku, kundrejt pagesës. Porositësit e vrasjes dyshohet të jenë një grup i strukturuar kriminal që vepron në qarkun Lezhë, tashmë të identifikuar dhe nën hetim nga ana e Policisë. Për shkak të cilësisë së hetimit dhe të ruajtjes së sekretit hetimor, nuk mund të bëjmë publike të dhëna të tjera për këtë çështje”, njoftoi policia.

Sipas policisë, Keqi, akuzohet për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake e municionit”.

Gjatë kontrollit në banesën e 40-vjeçarit, në kuadër të operacionit policor “GJURMA”, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 21 aparate celulare dhe 6 mbajtëse të kartave SIM.

Saimir Jaku, 33 vjeç, ish-Drejtor i Tensionit të Lartë për zonën e veriut, u vra me armë zjarri më 9 shtator 2016.

Kanë qenë dy persona të maskuar, të cilët kanë qëlluar me breshëri automatiku ndaj Jakut, i cili qëndronte në ambientin e jashtëm të një lokali në qytetin e Rrëshenit, vetëm 20 metra larg komisariatit të policisë.

Menjëherë pas krimit, autorët janë larguar nga vendngjarja me një mjet që ishte parkuar jo larg lokalit ku u krye edhe ekzekutimi.

Jaku ishte shkarkuar nga detyra vetëm një javë më parë nga ekzekutimit me armë zjarri.

Vite më parë, ai ka qenë emigrant në disa shtete të ndryshme të Europës. Si pasojë e asaj ngjarje mbeti i plagosur edhe Gjergj Prenga, 50 vjeç, i cili ndodhej në tavolinë me viktimën në momentin kur ndodhi vrasja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë