Drejtësia

“Krimi e korrupsioni me tenderat në fokus të SPAK”. Arben Kraja u përgjigjet edhe kritikave

Kreu i SPAK, Arben Kraja u është përgjigjur zërave kritikë që ‘ngrenë gishtin’ ndaj institucionit se pse nuk hetohen emra të caktuar të politikës.

Në një intervistë për RTSH 24, Kraja tha se këto kritika vijnë pasi publiku, por edhe politika nuk janë të informuar që hetimet dhe mbledhja e provave kërkojnë një kohë të gjatë dhe se prokurorët nuk mund të flasin pa dalë në akuza konkretet me provat përkatëse.

Ai thotë se SPAK nuk vepron me një listë emrash që të përcaktojë radhën e hetimeve, por në bazë të provave që mblidhen si nga burme të hapura që janë mediat, ashtu edhe nga institucionet si BKH dhe prokuroritë që sjellin informacion.

“Nuk dua të përfshihem në një debat pse nuk hetojmë emra të caktuar, pasi SPAK nuk ka një listë apo radhë emrash se si do të hetohet, por çdo prokuror ka provat dhe dosjen e tij përpara. Pa diskutim do të ketë opinione të tilla, por ne fokusohemi të japim informacione përfundimtare dhe jo të nxjerrim të dhëna nga hetimet që nisim. Mundohemi të jemi korrekt me provat dhe ligjin dhe sa më larg komenteve që bën politika dhe publiku. SPAK vlerëson vetëm provat dhe të sqarojmë rrethanat pa u ndikuar nga ajo se çfarë thonë jashtë institucionit. Ne shfrytëzojmë burimet e hapura që janë mediat, por edhe institucionet si BKH dhe prokuroritë e tjera”, tha Kraja.

I pyetur nëse ka marrë pjesë në hetime, Kraja tha se “në raste të veçantë është përfshirë në hetime konkrete, ndërsa shtoi se fokusi i SPAK janë krimi dhe shkeljet me tenderat.

“Aktiviteti i SPAK është i gjerë dhe drejtuesi ka shumë çështje, edhe administrative që duhet të merret, por në disa raste të veçanta jam përfshirë në çështje konkrete. Kemi shumë çështje në hetim dhe nuk mund të bësh publike të dhëna. Në fokus është krimi dhe korrupsioni në nivele të larta, por dhe shkeljet me prokurimet publike”, tha Kraja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë