Gazeta Si – Bavarezët mendojnë për sot dhe për nesër. Te Bajerni i Mynihut këtë verë kanë zgjedhur një strategji ndryshe nga vitet e kaluara, duke ‘hapur thesin’. Plot 28 milionë euro do të shpenzojë klubi gjerman për një 17-vjeçar.
Sipas ‘Sky Deutschland’, drejtuesit e Bajernit kanë arritur një akord me Renes për Mathys Tel. Bëhet fjalë për një premtim të madh të futbollit francez, ndaj dhe gjermanët kanë vendosur të mos kursehen.

Po flitet për një trasferim përfundimtar të djaloshit te Bajerni. Klubi francez i Renes përfiton rreth 28 milionë euro nga kjo lëvizje, ndërsa detajet e tjera në lidhje me kohëzgjatjen e kontratës dhe shifrat e saj nuk bëhen të ditura për momentin.
Ditët e fundit bavarezët janë privuar nga Robert Levandovski, sulmuesi i tyre kryesor vitet e fundit, por kanë afruar Sadio Mane nga Liverpuli. Bajerni ka marrë edhe mbrojtësin De Ligt nga Juventusi, duke forcuar edhe prapavijën.
Klubi i madh gjerman është mjaft i konsoliduar ekonomikisht dhe ia lejon vetes të investojë që tani edhe për të ardhmen. Një transferim prej 28 milionë eurosh për një 17-vjeçar flet qartë për politikat e Bajernit.
Mathys Tel luan në pozicionin e qendërsulmuesit. Ai ka të gjitha të dhënat për t’u bërë një lojtar i madh, ndaj dhe te Bajerni mendojnë se mund të sigurojnë të ardhmen me blerjen e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




