Futboll

Miqësore me tension: Barcelona triumfon në El Clasicon parasezonale ndaj Real Madridit

Barcelona ka fituar El Clasicon e parë të sezonit ndaj Real Madridit me rezultat minimal 1-0, në ndeshjen e zhvilluar mëngjesin e sotëm (e diel) në Las Vegas.

Dy klubet e mëdha nga La Liga janë duke zhvilluar fazën përgatitore në SHBA dhe kanë shfrytëzuar situatën për të zhvilluar një ndeshje mes tyre.

Takimi i zhvilluar në ‘Allegiant Stadium’ i ka takuar në fund Barcelonës, e cila ishte më e mirë dhe më kërkuese gjatë gjithë ndeshjes.

Goli i vetëm në këtë ndeshje erdhi në minutën e 27-të me anë të Raphinhas, i cili shënoi një supergol nga distanca për 1-0.

Në pjesën e dytë, si Carlo Ancelotti ashtu edhe Xavi bënë nga 11 ndryshime në formacion, për të parë formën e lojtarëve, por edhe për të provuar prurjet e reja.

Te Barcelona debutoi polaku Robert Lewandowski, i cili luajti gjithë pjesën e parë, ndërsa te Reali luajtën transferimet e verës si Aurilien Tchouameni dhe Antonio Rudiger.

Por ndeshja nuk ka përfunduar pa tensione. Të gjithë lojtarët e të dyja skuadrave u përfshinë në një rrëmujë të krijuar pas minutës së 42-të. Gjithçka erdhi pas një ndërhyrjeje të Sergio Busquets e pastaj të Jordi Albas gjatë një sulmi të Rodrygo Goes, me brazilianin që reagoi me zemërim dhe bëri që të krijohet përplasja mes lojtarëve.

Megjithatë, gjithçka përfundoi pa ndonjë ekses të madh dhe vetëm Alba u ndëshkua me karton të verdhë për shkak të ndërhyrjes.

Duke folur pas ndeshjes, trajneri Xavi Hernandez ishte në humor dhe optimist përpara sezonit të ri. “Jemi ndjerë mirë. Gjëja më pak e rëndësishme është fitorja, por ne katalunasve na pëlqen ta mposhtim Real Madridin. Pjesa e parë ishte e shkëlqyer, e dyta më pak e mirë. Skuadra duket e mirë fizikisht”, ka thënë fillimisht Xavi. “Pashë një Barcë të mirë, por ne duhet të jemi më të besueshëm në zonë. Ne ishim më të mirë se Real Madridi”.

“Jam i kënaqur, përtej rezultatit. Arrita ta shijoj edhe në stol. Ne po krijojmë një sasi të madhe eksitimi mes katalunasve. Për ne është një fitore e rëndësishme”, përfundoi trajneri i Barcelonës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë