Gazeta Si – Presidenti i Bajernit, Herbert Hainer, në një intervistë ekskluzive për ‘Sky.de’, ka folur për të gjitha. Ai ka komentuar afrimet e Sadio Mane dhe Mathijs de Ligt, lamtumirën e Levandovskit nga Bajerni, ambiciet e klubit, Hasan Salihamixhiç dhe Julian Nagelsman.
Mjaft aktivë në merkato. “Kemi dhënë një sinjal të qartë për Europën. Kemi treguar ambiciet tona. Bajerni është një klub tërheqës. Nëse Mane dhe De Ligt vijnë te ne, do të thotë se janë të bindur se këtu mund të fitojnë.

Për këtë arsye kemi arritur të zgjatim shpejt kontratat me Kimish, Goretzkën dhe Koman. Klubi ynë nuk ka forcën ekonomike të sheikëve, për gjithçka varet nga historia, sukseset dhe stabiliteti financiar.
Kemi një drejtor sportiv shumë të mirë. Hasan Salihamixhiç është kritikuar shumë padrejtësisht. Pak e kujtojnë, por unë po, që ka ndërtuar një skuadër të aftë të fitojë gjithçka në 2020-ën dhe 10 tituj radhazi”, – ka thënë Heiner.
Bavarezët janë edhe një shembull qëndrueshmërie. “Bajerni punon në mënyrë të pastër. Nuk dua të flas për Barcelonën, nuk e di situatën, por shoh që janë fokusuar te partnerët, të drejtat televizive. Këto zgjedhje besoj do të sjellin të ardhura, që mund të investohen më pas. Shpresoj të jetë kështu, sepse duhet të paguajnë Levandovskin”, – shton presidenti i Bajernit.
Heiner komenton më tej ikjen e sulmuesit polak dhe pozicionin e trajneri. “Levandovski është një nga sulmuesit më të mirë në botë, por pa të kemi më shumë variante loje. Ka kush ta zëvendësojë për numër golash. Ka qenë i lumtur me ne, tani ka shkuar diku tjetër. Shitja e tij ishte në favor të të gjithëve.

Duam të jemi kompetitivë në Champions. Kemi analizuar sezonin e fundit, nuk jemi të kënaqur, sepse u eliminuam nga Vilarreali. Kemi mësuar nga gabimet tona. Nagelsman dhe të gjithë ata që punojnë te Bajerni janë nën presion, por ai di ta administrojë. Është nga më të motivuarit për t’u përmirësuar në krahasim me vitin e kaluar”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




