Gazeta Si – Barazim 1-1 në Shkodër, në paraqitjen e parë europiane të Vllaznisë. Në një ndeshje ku spektaklin e kanë dhënë tifozët shkodranë, të shumtë në numër, rumunët e Universitatea Kraiovës shënuan të parët me penallti. Vllaznia barazoi në pjesën e dytë, duke mbetur në lojë për kualifikimin.
Vllaznia u ndëshkua në fundin e pjesës së parë nga një penallti e diskutueshme, që u kthye në gol nga Ivan. Portieri Zogoviç kuptoi krahun dhe e preku topin, por pa mundur ta ndalte atë të shkonte drejt rrjetës.

Me fillimin e pjesës së dytë, trajneri Josa aktivizoi Herald Markun dhe Ardit Hoxhajn. Pikërisht dy lojtarët që gatuan golin e barazimit, të finalizuar nga sulmuesi vlonjat. Goli ngriti peshë tifozët shkodranë në “Loro Boriçi”.
Më pas shkodranët luajtën më mirë në disa fragmente, por Universitatea ishte më lart. Skuadra mike kishte më shumë kualitet dhe iu afrua golit të dytë në disa raste.
Me atë që u pa mbrëmjen e sotme në “Loro Boriçi”, Vllaznia do ta ketë shumë të vështirë në kthim. Kundërshtari ishte superior, por në futboll mund të ndodhë gjithçka dhe shkodranët mbeten me shpresë, edhe pse në Rumani nuk do të kenë në krah tifozët shkodranë si sot.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




