Gazeta Si – Tension dhe përplasje fizike pas ndeshjes me Tiranës dhe Zrinjski në “Air Albania”, e vlefshme për Ligën e Konferencës. Tifozët e dy skuadrave janë konfrontuar mes tyre dhe pastaj me policinë, duke kaluar në dhunë jashtë stadiumit.
Gjatë daljes nga stadiumi, tifozët e dy skuadrave janë përplasur në portën dalëse të tifozëve boshnjakë.

Mjaftuan disa provokime si shkëndijë për nisjen e dhunës. Tifozët miq duket se kanë qenë në efektin e alkoolit dhe kanë reaguar në mënyrë të dhunshme. Ata kanë gjuajtur edhe me shishe të marra nga tavolinat e lokaleve aty pranë, duke rrezikuar edhe kalimtarët e tjerë.
Në ato momente ka ndërhyrë policia dhe tifozët boshnjakë janë përplasur fizikisht edhe me punonjësit e rendit. Madje, kanë gjuajtur edhe me karrige drejt tyre. Një polic ka mbetur i plagosur nga kjo përplasje, si dhe disa tifozë. Policisë i është dashur të përdorë edhe gazin lotsjellës.
Sipas informacionit të policisë, janë ndaluar 25 tifozë.
Njoftimi zyrtar i policisë
Më datë 19.07.2022, në stadiumin “Air Albania”, pas përfundimit të ndeshjes Tirana-HSK Zrinjeski Mostar i Bosnje Hercegovinës, gjatë daljes së tifozëve, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë për të shoqëruar disa tifozë të ekipit të Bosnje Hercegovinës, të cilët gjatë zhvillimit të ndeshjes kanë kanë hedhur sende të forta dhe lëndë piroteknike.
Gjatë momentit të shoqërimit të tyre, pjesa tjetër e tifozëve të këtij ekipi, ka kundërshtuar me forcë dhe me sende të forta punonjësit e Policisë, për të mos lejuar shoqërimin e tyre. Shërbimet e Policisë, për të neutralizuar aktet e dhunshme të tifozëve, kanë përdorur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë ata.
Si pasojë e akteve të dhunës nga ana e tifozëve, është dëmtuar një punonjës Policie si dhe një tifoz, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Nga shërbimet e Policisë deri tani janë shoqëruar 25 tifozë.
Sqarojmë opinionin publik që nuk ka pasur të shtëna me armë dhe vijon puna për shoqërimin e personave të tjerë të përfshirë në akte të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




