Gazeta Si – Tirana mbetet në errësirë totale. Nuk ka dritë në fund të tunelit, ku kampionët e Shqipërisë u futën në Ligën e Kampionëve, duke u eliminuar që në turin e parë.
As ‘e treta, e vërteta’ nuk vlen. Bardheblutë kanë pësuar humbjen e 3-të (0-1) në po kaq ndeshje europiane deri tani, këtë herë në Ligën e Konferencës nga boshnjakët e Zrinjskit.
Një zhgënjim shumë i madh për ekipin më të mirë të sezonit të fundit, që pritej të linte gjurmë edhe në Europë. Tirana ka edhe një shans për t’u kualifikuar në ndeshjen e kthimit në Bosnjë, por me atë që tregoi sot në “Air Albania’, vështirë se mund të bëjë ndonjë mrekulli.

Zrinjski fitoi 0-1 në Tiranë, luajti një futboll më konkret dhe i administroi më mirë 90 minutat. Fatin e ndeshjes e vendoi një penallti e shkaktuar që në fillim nga Limaj, që Bilbija e ktheu në gol.
Tirana rrezikoi vetëm me raste sporadike, ndërkohë që rrezikoi të pësonte edhe golin e dytë. Shpëtimtar u bë portieri Bekaj në 2-3 raste. Karikimi i tifozëve bardheblu edhe këtë herë nuk shërbeu. Tirana nuk tregoi forcën e kampionit në asnjë moment dhe në fund u fik krejtësisht.
Trajneri Orges Shehi preferoi këtë herë të linte në stol Totren dhe Devid, duke aktivizuar Qefalinë dhe Hasanin. Por Tirana e tij nuk bindi në asnjë çast, përkundrazi, la për të dëshiruar. Boshnjakët morën atë që deshën në “Air Albania”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




