Futboll

Përsëri tension te Lacio, Sarri lë stërvitjen dhe kapet me ultrasit

Gazeta Si – Përsëri momente tensioni te Lacio, që këtë verë duket se nuk po gjen qetësi. Këtë herë tensioni është provokuar nga tifozët më të zjarrtë lacialë, të cilët janë përplasur me mbrojtësin Açerbi. Ka ndërhyrë trajneri Sarri.

Gjatë stërvitjes në Auronzo di Cadore, trajneri Mauricio Sarri u detyrua të ndërpriste stërvitjen dhe shkoi të qortojë tifozët ultras të Lacios. Për të disatën herë këta të fundit kanë kontestuar rëndë Françesko Açerbin. Raporti me këtë lojtar ka kohë që është prishur.

Sarri dhe Açerbi. Gazeta Si, 19 korrik 2022

Mëngjesin e sotëm, disa ultras e fyen rëndë më fjalë mbrojtësin dhe në ato momente ka reaguar trajneri Sarri. Ai shkoi pranë tribunës ku ishin vendosur tifozët dhe u kërkoi me tone të larta që të mos flisnin më.

Sarri nuk e pranoi sjelljen e pahijshme të tifozëve, ndaj dhe shkoi te sektori i tyre. Përplasjet mes tifozëve dhe Açerbit kanë nisur shumë më herët, por me sa duket koha nuk ka mundur ta fshijë këtë konflikt.

Në këto kushte, shitja e mbrojtësit duket e pashmangshme. Kjo verë nuk ka qenë aspak e qetë për Lacion. Pak kohë më parë ishte drejtori sportiv, Igli Tare, që pati një përplasje me presidentin Klaudio Lotito.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë