Futboll

Ibrahimoviç me Milanin edhe për një vit, rinovim me ulje page

Gazeta Si – Zllatan Ibrahimoviç do të luajë me Milanin edhe për një vit. Rinovimi i sulmuesit suedez ishte gati dhe ishte parashikuar për këtë javë. Sot ka ardhur zyrtarizimi dhe firma në kontratë.

Zllatan Ibrahimoviç. Gazeta Si, 18 korrik 2022

Ibrahimoviç do të ketë një pagë me një pjesë fikse shumë më të ulët se sezonin e kaluar (7 milionë). Pjesa tjetër lidhet me bonuset. Edhe në këtë rast Milani do të shfrytëzojë avantazhet fiskale që lidhen me të ashtuquajturin “Dekreti rritje”.

Në postimin e bërë në faqen zyrtare në Tuiter, klubi kuqezi saktëson se sulmuesi veteran do të veshë sërish fanellën me numër 11.

Ibrahimoviç ka firmosur deri në vitin 2023. Do të jetë sezoni i tij i 5-të me fanellën kuqezi, me objektiva të tjerë për të arritur.

Tani futbollisti 40-vjeçar mund të përqendrohet te rikuperimi, pas ndërhyrjes në gjurin e majtë që kreu sapo fitoi titullin me Milanin. Ditët e fundit ai ka bërë disa seanca rehabilituese, duke postuar në rrjetet sociale progresin drejt rikthimit në fushë.

Objektivi është që sulmuesi të jetë gati në fillim të 2023-shit, por nuk ka ende një datë precize. Duke pare moshën dhe gjendjen fizike të përgjithshme, Milani do të presë me durim rikthimin e suedezit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë