Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka mohuar çdo mundësi që ndonjë qytetar i Kosovës të jetë bërë pjesë e luftës në Ukrainë, ashtu siç pretendon Moska zyrtare.
Ministri Sveçla tha për REL se institucionet e Kosovës nuk kanë asnjë informacion që ndonjë qytetar i Kosovës të jetë duke luftuar si mercenar në luftën mes Ukrainës dhe Rusisë, që filloi më 24 shkurt të këtij viti.
Që nga kjo datë Rusia ka publikuar në disa raste të dhëna për numrin e mercenarëve që sipas saj janë rreshtuar krah forcave ukrainase.
Më 17 qershor Ministria e Mbrojtjes e Rusisë publikoi një listë, në të cilën pretendon se që nga 24 shkurti 156 qytetarë nga Kosova u janë bashkuar luftimeve në Ukrainë.
“Ne nuk kemi asnjë informacion se asnjë qytetar i Republikës së Kosovës është pjesë e luftës në Ukrainë e për më pak se edhe paskemi viktima nën ta, ashtu siç paskan pas deklaruar agjencitë e Putinit”, tha ministri Sveçla.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë më tej pretendon se ka eliminuar 61 luftëtarë nga Kosova nga data 24 shkurt e deri më 17 qershor 2022.
Por, të gjitha këto informacione, sipas ministrit Sveçla, janë propagandë.
“Kjo është në kuadër të propagandës së vazhdueshme të Rusisë me qëllim që të arsyetojë agresionin e saj të padrejtë dhe të paprovokuar në Ukrainë, por edhe që të mobilizojë radhët e veta dhe mbështetësit e saj kundër vendeve demokratike, liridashëse ndër të cilat është edhe Republika e Kosovës”, tha Sveçla.
Ministria ruse e Mbrojtjes, siç raportuan mediat ruse, edhe gjatë korrikut ka publikuar një listë të tillë me shifra të njëjta.
Ministri Sveçla tha se Kosova ka ligj të veçantë përmes së cilit ndalohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftëra jashtë vendit.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Kosova është përmendur disa herë nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, si dhe ministri i jashtëm, Sergei Lavrov.
Lufta në Ukrainë filloi me 24 shkurt kur presidenti rus Putin urdhëroi trupat ushtarake që të futën në territorin ukrainas. Që nga ajo kohë Rusia pretendon se luftës i janë bashkuar rreth shtatëmijë mercenarë të huaj.
Kosova është bërë pjesë e dënimit të pushtimit rus të Ukrainës, si dhe është rreshtuar krah shteteve perëndimore, duke vendosur sanksione ndaj zyrtarëve dhe shtetit të Rusisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




